“Argument” – Emergjenca e koronavirusit, Nikolin Jaka: “Paniku po dëmton ekonominë”
Në emisionin “Argument” nga Enio Civici mbrëmjen e kësaj të hëne është diskutuar rreth emergjëncës ekonomike që ka shkaktuar pandemia globale e koronavirusit.
Ashtu siç edhe shumë media botërore e kanë cilësuar, koronavirusi më shumë se sa një emergjencë shëndetësore, po shfaqet si një emergjencë ekonomike dhe se pas këtij virusi shumë shtete të botës mund të shkojnë drejt recesionit. Të gjitha vendet e zhvilluara kanë reaguar kundrejt kësaj pandemie me ulje normash interesi, kompensime financiare dhe likuiditete për bankat.
Në këtë mënyrë edhe në Shqipëri shumë shoqata biznesesh dhe kompanish po bëjnë thirrje ndaj qeverisë për të bërë të mundur një një paketë masash ekonomike.
Të ftuar për të folur rreth kësaj teme ishin personalitete të njohura të fushës së biznesit dhe ekonomisë në vendin tonë.
Zoti Nikolin Jaka, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Shqipërisë ka bërë të ditur se situata për sipërmarrjen private në Shqipëri nuk paraqitet e mirë dhe se ndërhyrja e qeverisë do të jetë vendimtare.
Sipas tij të gjitha shoqatat e biznesit kanë bërë të ditura kërkesat e tyre dhe po diskutohen skenarë të ndryshëm se si mund të përballohet situata. Më e rëndësishmja për z.Jaka në këtë histori është ndërgjegjësimi i njerëzve për të mposhtur frikën:
“Duhet të jemi të zgjuar në këto momente të marrim vendimet e duhura sepse pasojat do të jenë shumë të mëdha. Duke parandaluar çdo qytetar të qarkullojmë, nuk do të parandalojmë virusin, por do ta ngadalësojmë atë, ndërsa nga ana tjetër do kemi bllokimin dhe masat shtrënguese ndaj sipërmarrjes private, që do të dërgojë drejt falimentimit të tyre.
Fatkeqësia më e madhe është se nuk kemi një koordinim të madh me qeverinë për të mbledhur grupet e punës në një tryezë të përbashkët dhe të hartojmë me qetësi, duke dëgjuar të gjithë ekspertët një plan masash që të garantojë mbrojtjen e njerëzve, por edhe mbrojtjen e ekonomisë së vendit.
Gjithsesi unë do doja t’i bëja thirrje qeverisë, sipërmarrësve dhe çdokujt që mund të prodhojë vlerë të shtuar që të gjendet në këto ditë të vështira në krye të detyrës për të inkurajuar stafet dhe personelet. Në këtë mënyrë ne mund të mposhtim frikën dhe të vazhdojmë normalitetin e ekonomisë tonë.” – u shpreh Z.Jaka
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.