“Argument” – Jonila Godole: “Shembja teatrit një goditje e fortë emocionale. Frikë se po përdoret si inskenim për të zhvendosur vëmendjen”
Në emisionin “Argument” mbrëmjen e sotme nga gazetari Enio Civici është diskutuar mbi sezonin e ri politik dhe ekonomik, të cilin e pret Shqipërinë.
Teksa çështja e Teatrit Kombëtar po rrëmben vëmendjen e opinionit public dhe ka shkaktuar protesta ndaj qeverisë, me njerëzit që thyen të gjitha rregullat e karantinës dhe masat e rrepta, kriza e COVDI-19 gjithashtu ka lënë pasojat e saj në ekonominë shqiptare.
Në këtë ndërthurje të politikës dhe ekonomisë, pritet që zhvillimet e ardhshme të jenë të paparishikueshme.
E ftuar për të diskutuar rreth kësaj teme ishte Jonila Godole, pedagoge në Fakultetin e Shkencave Soicale, e cila e komentoi si një goditje të fortë emocionale prishjen e Teatrit Kombëtar, por edhe një shkak i fortë për të kuptuar presionin e qeverisë mbi lirinë e qytetarëve, me masat kufizuese ndaj COVID-19:
“Për mua ka qenë një tronditje e madhe, por jo që nuk e prisnim. Mënyra si u krye na ka tronditur dhe frikësuar të gjithëve, pasi kemi parë deri në çfarë mase qeveria, që pritej të na mbronte nga armiku i padukshëm, por në mes të natës ai u zhduk dhe u provokua shoqëria civile e Tiranës, duke rrezikuar edhe jetën e tyre. Mu duk e papërgjegjshme dhe moment jo i duhur për këtë ndërhyrje.
Ajo që i ka shqetësuar të gjithë pa dallim është mënyra tinëzare se si u shemb teatri i Tiranës, injorimi i zërave ndryshe si dhe mbyllja e debatit dhe dialogut. Gjithashtu do ta tregojë koha dhe Gjykata Kushtetuese nëse ishte ligjore kjo ndërhyrje, pasi gjasat janë që duket të jetë edhe e paligjshme.
Jemi ende të shushatur nga pandemia, ndërsa me prishjen e Teatrit kuptuam edhe lirinë tonë që na e kishin marrë dhe kaluam në një ngarkesë të madhe emocionale, sidomos duke parë edhe rrahjet e të rinjve të paarmatosur, në kushtet e pandemic. Gjithashtu edhe ligjërimi publik i politikanëve, edhe si fasadë, u shemb nga këto veprime.
Edhe pse Teatri ra, kauza ende nuk ka rënë. Aleanca e Teatrit tregoi që është nga grupet e presionti më të fuqishme. Një grup i fortë presioni ka qenë edhe Lëvizja Mjaft, ndërsa më pas u kapërdi nga Partia Socialiste. Reforma Zgjedhore nga njëri krah u kthye mbrapsht, një goditje e tillë i jep alibi dhe i shkon për shtat opozitës, që nuk pranon të ulet me qeverinë.
Gjithashtu duke analizuar ndërhyrjen në Teatrin Kombëtar, znj.Godole ka shpjeguar se gjëja që e shqetëson më shumë është edhe inskenimi që mund të përdoret nga qeveria për të mbuluar pasojat e rënda ekonomike:
“Do ketë ndikim një gjë e tillë e paparishikuar. Kjo ishte një vrasje e paralajmëruar, pasi e kemi parë si ka funksionuar qeveria deri tani, por nuk ishte bërë ndonjëherë një mënyrë e tillë. Me anë të zhurmës së madhe të Teatrit, që zgjon shumë emocione kolektive, duket sikur nga krahu tjetër po mbulon situatën shumë të rëndë ekonomike dhe po nxjerr në dritë dëhstimet shkencore në masat e rrepta që nuk bazoheshin në asnjë lloj statistike.
Ndoshta kjo është bërë që të gjithë të kthejnë vëmendjen tek Teatri dhe fokusi do zhvendoset tek çështje të reja. Kjo situatë po përdoret për të mbuluar rëndesën e vërtetë ekonomike dhe për të kaluar në mënyrë jotransparente çështje të rëndësishme për publikun, si ndihma për biznesin dhe individët.”
Sipas znj.Godole nga shembja e Teatrit janë nxjerrë edhe disa mësime të rëndësishme për jetën demokratike në Shqipëri:
“Jam e sigurtë se kjo që ndodhi me Teatrin do sjellë një ndryshim dhe do lërë një gjurmë. Teatri tregoi se ka kauza që ende nuk tradhtohen nga shoqëria civile dhe kjo u ka dhënë kurajo njerëzve. Mendoj se nuk do të ketë asnjë qeveri, pas kësaj që do guxojë të bëjë abuzime në këtë mënyrë. Po shohim një anashkalim të paligjshmërisë, ku parlamenti dhe Gjykatat janë jo-funksionale. Mbetet për tu parë nëse jemi pjekur si shoqëri me kulturë demokratike për t’I dhënë frymë një lëvizje të re, e cila deri më tani nuk ka ndodhur. Jam i sigurtë që do të ketë prurje të reja dhe qytetarët do ta penalizojnë qeverinë në pushtet, duke e ndëshkuar me votë. ”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.