“Argument” – Koronavirusi po përhap panik, ekspertja: “Lexoni vetëm informacione zyrtare”, goditja që po shkakton në ekonomi
Në emisionin e mbrëmjes së sotme “Argument”, po flitet për koronavirusin. Përtej shkaqeve shëndetësore, ky virus po paraqet edhe një problem tjetër, i cili është paniku i madh që ka krijuar tek njerëzit.
Psikologia e ftuar në studio Lediona Braho ka shpjeguar se pse ndodh ky fenomen:
“Në media po shihet se fjala panik është nga më të përdoruat pasi nxit klikimet. Më vjen mirë që ka shifra zyrtare, të cilat nuk konfirmojnë asnjë rast të prekur, pasi kjo qetëson publikun dhe të paktën ndihemi më të mbrojtur për momentin si edhe më të qetë psikologjikisht.
Është mirë që të gjithë qytetarët të informohen nëpërmjet publikimeve zyrtare të informacionit, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe organizmat e tjerë zyrtarë.
Informohuni dhe qëndroni larg dezinformimit, portaleve dhe mediave të cilat keqinformojnë në shumë raste.
Duhen ndjekur dhe respektuar të gjitha udhëzimet standarde, për kushtet higjieno-sanitare, për ushqyerjen, për kontaktet me njerëzit dhe në disa raste duhen shmangur dhe turmat e mëdha me njerëz.
Gjithashtu çështja e maskave duhet kuptuar. Ka njerëz me simptoma gripi, të cilët mund t’i përdorin këto maska për të mos përhapur gripin sezonal, ndërsa nga krahu tjetër shumë prej nesh e përdorin këtë mjet për të qetësuar më së shumti veten tonë psikologjikisht, se sa për tu mbrojtur realisht nga virusi.”
Gjithashtu në studio ishte i ftuar edhe pedagogu i mirënjohur i ekonomisë, Klodian Muço që ka shpjeguar efektet që ka dhënë në ekonominë e Kinës dhe Italisë, dy vendet më të prekura ky virus:
“Goditja në ekonomi është mjaft e madhe. Kina ka harxhuar 45 miliardë dollarë për shpenzime emergjente, që të përballojë virusin e ri, që praktikisht i bie 1%e GDP-së. Janë paralizuar qytetet që përbëjnë rreth 90% të eksporteve kineze. Pra, nuk ka më volum në shkëmbimet tregtare, duke sjellën një goditje tjetër. Gjithashtu, qytetet më të rëndësishme dhe të mëdha janë të izoluara, të cilat prodhojnë përafërsisht 80% të GDP-së kineze.
Ndërsa, në Itali llogaritet sipas të dhënave të ditës së sotme, se po humbet shifra të frikshme nga mbyllja e bizneseve, te punëtorët që nuk shkojnë në punë, që nga shfaqjet e rastit të parë me koronavirus. Ka prekur të gjithë jetën publike, nga restorantet deri tek pezullimi i sportit.”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.