“Argument” – Reforma Zgjedhore ende pa marrëveshje. Ekspertët shpjegojnë zhvillimet e procesit
Në “Argument” mbrëmjen e sotme me gazetarin Enio Civici është diskutuar edhe mbi çështjen e Reformës Zgjedhore, e cila prej disa ditësh tashmë gjendet në fazën e negociatave nga palët politike për ta përfunduar.
Ndërhyrja e ambasadorëve të huaj në Shqipëri ka qenë e fortë për të ulur në një konsensus palët dhe për këtë ka pasur kritika nga aktorët e shoqërisë civile, por edhe vetë kryeministri Rama që për këtë fajëson opozitën jashtëparlamentare.
Ish-kryetari I KQZ-së, Kristaq Kume e ka shpjeguar këtë ndërhyrje si një dobësi të klasës politike shqiptare për të arritur në marrëveshje:
“E para gjë e vërejtur nga kjo situatë dëshpëruese ku jemi ende pa marrëveshje, është se për sa kohë ne jemi të pazotë për t’i zgjidhur problemet tona, për sa kohë sytë t’I kemi nga ndërkombëtarët që na udhëzojnë, edhe pas 30 vjetëve që ka kaluar një brez i tërë, kjo klasë politike është e pazonjë dhe ka dështuar. Ajo ka frikë të marrë përsipër detyrat dhe çdo gjë e bën në interesin e saj personal dhe prandaj nuk e gjejnë dot fjalën midis vetes. Nëse do kishin në mendje qytetarët, gjithçka do të ishte më e thjeshtë. ”
Ndërkohë, i ftuar ishte në studio edhe Aldo Mërkoçi, që ka shpjeguar se fillimisht nevojitet një reflektim për protestën paqësore në Tiranë, mbi rastet e abuzimit të femrave dhe më pas duhet kaluar në Reformën Zgjedhore:
“Mendoj që duhet të bëjmë një pauzë për të reflektuar mbi protestën që sapo ndodhi për dhunën ndaj femrës së abuzuar. Në këtë kohë kaq të ngarkuar telenovelash ishte një kohë magjike e asaj që po ndodh në Tiranë dhe në Shqipëri, për të gjithë ne që nuk jemi të angazhuar me politikë.
Tek diskurisi ditës për Reformën Zgjedhore, nuk mendoj se nuk është i rëndësishëm. Shumë aktorë të shoqërisë civile janë angazhuar te Reforma Zgedhore pasi mendojmë që ne deri më sot nuk kemi pasur kurrë një diskurs të hapur publik mbi procesin zgjedhor. Është e padrejtë ta cungosh debatin vetëm te njohja biometrike apo jo, e padrejtë ta cungosh debatin nëse kemi nevojë për reformë apo jo.
Debati për Reformën ka filluar zyrtarisht dhe është angazhuar një komision i posaçëm i parlamentit, pasi të gjithë ne e kërkonim dhe ndërkombëtarët gjithashtu, pasi ka nevojë për rregulla të qarta. Kjo buron nga fakti që ne sot kemi një parlament të çuditshëm dhe që nuk na përfaqëson. Kemi një opozitë që nuk është e qartë mbi atë për çfarë duan. Kemi një qeveri që nuk shpalos planin, por i bën thirrje opozitës për të ardhur ta lexojë. ”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.