“Argument”- Turizmi sektori më i goditur nga koronavirusi. Shoqata e operatorëve ka tre kërkesa ndaj qeverisë
Emisioni i mbrëmjes së sotme “Argument” nga Enio Civici është fokusuar tek ekonomia dhe sektorët që do të goditen më shumë gjatë krizës shëndetësore, shkaktuar nga koroanvirusi.
Ekipi i FMN-së në vlerësimin e fundit që i ka bërë ekonomisë shqiptare ka vlerësuar se turizmi do të jetë sektori më i goditur, duke qenë se është edhe një nga aktivitetet që përbën një pjesë të rëndësishme të prodhimit të brendshëm.
Kliton Gërxhani, kryetar i shoqatës së operatorëve turistikëve ka qenë i ftuar për të diskutuar mbi këtë temë.
Sipas tij, pritet që zhbllokimi i turizmit të ndodhë në vjeshtë, ku mund të përfitojnë turet kulturore, ndërsa për situatën e tanishme, situate duket mjaft dinamike:
“Sektori i turizmit është komplet i bllokuar, ashtu si në çdo vend të botës. Në fillimi ishim gjysmë-entuziastë, por situata dinamike e bën të pamundur skedulimin e projekteve. Tashmë nuk dihet më as afati i shtyrjes së bllokimit dhe shpresojmë nga fundi i pranverës, ndërsa vera duket ende e vështirë dhe e humbur për turizmin. Turet kulturore mund të kenë shpresë në vjeshtë, me kushtet e sotme. Por, edhe sikur në skenarin më të mirë, situata të lirohet për një muaj, njerëzit reagojnë shumë më me vonesë në turizëm. Dëmi më i madh do të jetë në sezonin e verës, ku është dhe volumi më i madh. Në rast se situata do të zhbllokohet shpejt duhet të fokusohemi tek tregu shqipfolës.”
Ndërkohë, z.Gërxhani ka folur dhe për numrin e papunësisë dhe efektet sociale që mund të shkaktojë bllokimi i turizimit, si sektori që punëson numrin më të madh të njerëzve:
“Është e vështirë të llogarisim numrin e personelit sezonal, pasi shumë biznese mundohen të mbajnë një numër sa më minimale punëtorësh fiks. Por,mos harrojmë se gjithë bizneset e tjera të ndërlidhura, si agjensitë turistike, operatorët, hotelet nuk i kanë puëntorët sezonalë, por fikse. Ata janë të detyruar t’i dërgojnë njerëzit në shtëpi. Turizmi punëson 90 mijë veta direkt dhe 210 mijë indirekt. Është padyshim sektori që punëson numrin më të madh të njerëzve në Shqipëri. ”
Për qeverinë, z.Gërxhani ka shprehur tre kërkesa, që sipas tij do ta ndihmonin sektorin e turizmit të kishte likuiditet dhe t’i shmangej falimentimit:
“Gjëja kryesore që ne kemi kërkuar ndaj qeverisë është që të mos merren taksat. Nuk flitet për një spostim 1 apo 2 mujor, por flitet për një bllokim të tatim-fitimit deri në fund të këtj vitit, pasi nëse kemi likuiditet mund ta shtyjmë mbijetesën. Nuk ka kuptim të merren taksa, duke llogaritur fitimin e vitit të shkuar, ndërkohë që nuk kemi asnjë aktivitet në këtë vit. Duhet bërë kjo praktikë që në 2021 të dyja palët të zerojnë njëra-tjetrën për tatim-fitmin.
E dyta ështëpPjesa e taksave lokale, që gjithashtu duhen shtyrë deri në fund të këtij viti. Në këtë mënyrë na japin kohë të kuptojmë kush do mbijetojë dhe kush jo.
E treta është pezullimi i siguracioneveshoqërore dhe shëndetësore, duke qenë se bizneset po e çojnë personelin në shtëpi. Logjika e këtij veprimi është që edhe kur të ketë aktivitet të mos rëndohet ky sektor i turizmit, por të jetë në gjendje të mbajë likuditet, ndërsa në vitin e ardhshëm, taksat mund të rishikohen sërish.
E katërta është kreditimi me interes zero, pasi nuk është logjike që operatorët të kenë negociata me bankat. Nuk po flasim për grante, por për kreditim, lekë që do kthehen mbrapsht. Kolaterali dhe aseti duhet të shikohet nga shteti, por interesi duhet të jetë zero. Prandaj, kemi kërkuar një fond turizmi, pasi kështu do ishte më e thjeshtë. Të jepet krditim në varësi të numrit të punonjësve dhe kritereve të tjerave, të cilat duhen hartuar në një listë rregullash.”
G.K / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.