“Argument” – Zv.ministrja Financave: “Nuk ka ende detaje për heqjen e TVSH-së. Brenda qershorit mbyllim pagesat nga paketa e dytë”
Në emisionin “Argument” mbrëmjen e sotme ishte e ftuar zv.ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Vasilika Vjero e cila, ka diskutuar mbi masat e fundit të prezantuara nga qeveria për biznesin e vogël, ku deri në 2029 do të hiqet tatim fitimi për bizneset deri në 14 mln lekë xhiro vjetore dhe gjithashtu po diskutohet edhe heqja e TVSH-së.
Znj. Vjero është shprehur se masat do të vihen së shpejti në zbatim, ndërkohë që për TVSH-në nuk ka ende detaje, për mënyrën se si do të hiqet. Sipas zv.ministres janë bërë llogaritjet e nevojshme për aplikimin e këtyre masave:
“Në fakt siç publikut i është bërë e ditur, nisma e re e qeverisë shqiptare ka të bëjë me heqjen e detyrimeve për bizneset me xhiron vjetore deri në 0-14 mln lekë. Është propozuar që të hiqet tatim-fitimi për një kohë të gjatë, së bashku me TVSH-në edhe pse me këtë të dytën ende nuk ka detaje, në masën që do aplikohet.
Institucionet ndërkombëtare si FMN-ja, nëse do kthehemi mbrapa në kujtesë do shikoni që ata nuk e mirëpritën për të ulur pragun e tatim-paguesve për TVSH-në. Si tatim i komplikuar ata arsyetonin se do ishte një kosto shtesë për biznesin dhe ata menduan në atë periudhë se do kishte ksoto edhe për administratën shtetërore, pasi duhej të merrej me një numër të madh tatim paguesish që do të hynin në skemë për herë të parë. Duke parë edhe vendet e rajonit është sugjeruar se bizneset me mbi 8 mln lekë xhiro vjetore duhet të jenë pjesë e TVSH-së. Janë rreth 90 mijë tatimpagues që i përkasin kësaj fashe. Më e madhja i përket fashës nga 0-2 mln. Ka një përllogaritje të tatimit mbi fitimin që është në masën 580 mln lekë, ndërkohë ne jemi duke vlerësuar edhe efektin që do të ketë kjo iniciativë mbi TVSH-në, por do të jemi të kujdesshëm edhe se si ky tatim do të mblidhet nga subjektet e tjera, për të mos çuar në rënie drastike të ardhurash.
I pyetur nga gazetari Civici, se çfarë metodash do të përdoren për të kontrolluar veprimtarinë e bizneseve që mund të bëjnë shmangien e taksave, për të përfituar nga masa e qeverisë, zv.ministrja është përgjigjur:
“Kjo detyrë do t’i dedikohet administratës tatimore. Ajo që është më e komplikuara është mbi kontrollin e TVSH-në, sidomos tek bizneset e mëdha. Ky ndryshim ligjor do të shqoërohet edhe me procedura të qarta dhe rregullore, pasi ne besojmë se pajtueshmëria vullnetare arrihet nëpërmjet edukimit të tatim-paguesve, pasi jo të gjithë duan të shkelin ligjin, por shpeshherë ata e bëjnë edhe nga padituria.
Sa i përket shëndetit të ekonomisë shqiptare znj. Vjero është shprehur se goditja ka qenë e rëndë në Buxhetin e Shtetit, por se qeveria ka marrë të gjtiha msat për të mbuluar mosrealizimin e të ardhurave:
Ekonomia shqiptare u godit nga dy kriza. U prek aktiviteti vendas por edhe tregtia me vendet fqinje sidomos me Itlainë ku shumë kompani janë duke e përjetuar reduktimin e aktivitetit. Sigurisht, që pandemia dhe mbyllja e aktiviteteve nga masat e marra për COVID-19, por edhe lehtësirat fiskale që u ndërmorën, padiskutim kanë krijuar një minus të konsiderueshëm në buxhet. Realizimi jo i plotë i të ardhurave edhe nga administrate tatimore dhe doganore lidhet me këtë shkak. Ky deficit i krijuar mundësohet për tu përballuar nga marrja e borxheve tek insitucione ndërkombëtare si Banka Botërore dhe FMN-ja për të mbuluar mosrealizimin e të ardhurave. Sektori më i goditur është ai I turizmit, i ndërtimit apo dhe ai me tregtinë, si bar-restorantet, dyqanet dhe patjetër që duhet ende kohë për tu rikthyer në normalitet.”
Ndërkohë për pagesat nga dy paketat financiare të qeverisë, znj.Vjero është shprehur se tashmë adminsitrata tatimore po bën gjurmimin e tatim-paguesve dhe do të mbyllë të gjtiha vepriemt brenda qershorit:
“Ka mbaruar pothuasje totalisht lëvrimi i paketës së parë, ku kanë përfituar më shumë se 65 mijë të punësuar, ndërsa tek paketa e dytë u mbuluan ata që mbetën, por që kishin qarkullim edhe më të lartë xhiro vjetore. Deri në datën 5 kishin kohë që të aplikonin ku janë më shumë se 128 mijë që kanë përfituar, por kanë mbetur ende njerëz që tashmë i kanë mbetur adminstratës tatimore barra për ti kaluar shumën në llogari. Do ta përfundojmë këtë proces brenda muajit qershor, pasi kemi nevojë që të kthehemi në normalitet. Ka pasur rreth 15 mijë tatim pagues në paketën e parë që kanë bërë ankesa dhe që janë shqyrtuar të gjitha.”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.