Ari e mbyll javën në rritje – Dobësimi i dollarit dhe FED mbështesin metalin e verdhë
Ari e mbylli në rritje këtë javë, duke publikuar fitime për herë të parë në katër javët e fundit. Dobësimi i dollarit amerikan dhe ulja e mundësive që Rezerva Federale të rrisë tre herë normat e interesit gjatë këtij viti kanë mbështetur metalin e verdhë.
Në këtë mënyrë, ari e ka mbyllur javën në nivelin më të lartë që nga 25 prilli i këtij viti. Analistët shprehen se, tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme, dobësimi i dollarit dhe rënia e yieldit të bonove amerikane po ofrojnë një mbështetje të përkohshme për arin.
Nga e mërkura deri të premten, tendenca e dollarit amerikan ka qenë në rënie, në raport me shportën e monedhave kryesore ndërkombëtare. Ndërsa yieldi i obligacioneve 10-vjeçare amerikane ra ndjeshëm poshtë nivelit të 3%.
Investitorët besojnë se, Rezerva Federale do të rrisë normën bazë të interesit në muajin qershor, por janë ulur mundësitë edhe për dy rritje të tjera në shtator dhe dhjetor.
Një dollar më i dobët e bën ari më pak tërheqës për investitorët që përdorin monedhat e tjera. Presidenti i Rezervës Federale të Saint Louis, James Bullard, deklaroi se një rritje agresive e interesave do të shtojë rreziqet ndaj bizneseve amerikane, duke ndikuar negativisht në investimet e tyre.
Analistët shprehen se, nëse Rezerva Federale do të rrisë edhe tre herë normat e interesit, atëherë ari mund të bjerë edhe poshtë nivelit të 1300 dollarëve për onz.
Ari konsiderohet si një aset i sigurtë në periudha të tensioneve politike apo financiare, por për momentin konflikti mes Iranit dhe Izraelit po ofron pak mbështetje për metalin e verdhë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.