Ari e mbyll javën në rritje – Mbështetet nga tensionet në Afganistan. Investitorët presin fjalimin e Powell
Ari po qëndron në rritje në sesionin e sotëm dhe po mbështetet nga përshkallëzimi i situatës së sigurisë në Afganistan, duke rritur kërkesën e investitorëve për asete të sigurta. Megjithatë, fitimet janë të kufizuara pasi investitorët po presin me interes të veçantë fjalimin e presidentit të Rezervës Federale, Jerome Powell, në takimin vjetor të Jackson Hole.
Ari po tregtohet në rreth 1,798 dollarë për onz, ndërsa gjatë kësaj jave ka fituar rreth 1% të vlerës. Analistët shprehen se tensionet gjeopolitike në Afganistan kanë bërë që investitorët të mos ndërmarrin risk në tregje.
Shteti Islamik mori përsipër sulmet përpara dyerve të aeroportit të Kabulit, duke vrarë shumë civilë dhe 13 ushtarë amerikanë. Ndërkohë, shefi i Rezervës Federale, Jerome Powell pritet të japë më shumë detaje mbi programin e blerjes së bonove.
Të enjten, disa politikëbërës të bankës qëndrore amerikane bënë thirrje që institucioni të fillojë procesin e daljes nga blerja e bonove, që sipas tyre janë bërë të paefektshme. Presidenti i Rezervës Federale të St. Louis, James Bullard, së bashku me presidentin e Rezervës Federale të Kansasit, Esther George dhe atë të Dallasit, Robert Kaplan, minimizuan efektet e variantit Delta në ekonominë amerikane. Komentet e zyrtarëve të Rezervës Federale mbështetën edhe dollarin amerikan.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.