Ari, mbi nivelin psikologjik të 1.800 USD – Investitorët, të fokusuar te fjalimi i kreut të FED, Jerome Powell
Ari po tregtohet i qëndrueshëm në sesionin e sotëm dhe po qëndron mbi nivelin psikoligjik të 1800 dollarëve për onz, pasi rritja e infektimeve me variantin Delta të koronavirusit ka shtuar pritshmëritë që Rezerva Federale në Shtetet e Bashkuara të vonojë shtrëngimin e politikave monetare.
Ndërkohë, indeksi që mat dollarin amerikan po shfaqet i qëndrueshëm, pasi ra me 0.6% të hënën. Sipas analistëve, fakti që ari u ngjit mbi nivelin psikoligjik të 1800 dollarëve do të thotë se tregu është ende i shqetësuar për variantin Delta të koronavirusit.
Të dhënat e tjera, treguan se rritja e aktivitetit të biznesit në SHBA u ngadalësua për të tretin muaj me radhë gjatë gushtit, pasi varianti Delta po e pengon rimëkëmbjen e ekonomisë më të madhe në botë.
Investitorët janë të fokusuar edhe te fjalimi i Presidentit të Rezervës Federale, Jerome Powell, në takimin vjetor të Jackson Hole, i cili mund të japë më shumë detaje mbi gjendjen e ekonomisë dhe planet për të ardhmen mbi politikat monetare.
Edhe këtë vit, ky takim do të zhvillohet online për shkak të rritjes së infektimeve me Covid-19. Nëse do të ketë mesazhe pesimiste nga Powell, atëherë ari mund të rritet deri në 1850 dollarë për onz.
Klevis Llaha/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.