Ari njëlloj si Bitcoin – Tregjet do të përdorin teknologjinë blockchain për furnizimet 200 miliardë dollarëshe
Ari është drejt dixhitalizimit. Ashtu si kriptovalutat, ku më e njohura është Bitcoin, edhe ari do të shfrytëzojë të njëjtën teknologji të quajtur blockchain për të gjurmuar rrugën që ndjek ari i nxjerrë nga minierat, i shitur nga ndërmjetësit dhe shkrirë nga ricikluesit.
Bëhet fjalë për mbikëqyrjen e një tregu të shpërndarë në të gjithë botën që kap vlerën e 200 miliardë dollarëve në vit.
Propozimi për përdorimin e teknologjisë vjen nga shoqëria e “London Bullion Market”, tregut më të madh të arit në botë.
Blockchain do të përdoret për të gjurmuar origjinën e metalit të çmuar, në mënyrë që të parandalojë pjesërisht pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe për të reduktuar të ashtuquajturat mineralet e konfliktit që financojnë konflikte në Republikën Demokratike të Kongos dhe shtetet përreth.
“Kjo teknologji nuk mund të injorohet. Le të kuptojmë se si mund të na ndihmojë sot dhe të adresojë rreziqet që prekin tregun e metaleve të çmuara”, tha Sakhila Mirza, një drejtues ekzekutiv bordi i tregut londinez.
Gjurmimi i furnizimit me ar është thelbësor për parandalimin që metalet që sponsorizojnë luftëra të hyjnë në tregjet botërore, duke identifikuar pronarët dhe duke mbajtur sigurinë nga miniera tek kasaforta.
Tashmë blockchain synon të përdoret kudo, duke nisur nga nafta, tek diamantet e deri tek fruta-perimet dhe mishi.
A.H/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.