Ari, “streha” e investitorëve – Dollari dhe tensionet gjeopolitike nxisin “marshimin”
Ari rritet gjithmonë kur ka pasiguri, pasi shihet si një aset strehimi për investitorët. Këtë po e vërteton edhe sot, në një kohë që dollari po dobësohet dhe që po rriten ndjeshëm tensionet gjeopolitike. Projeksionet e aktorëve dhe ekspertëve të tregut tregojnë se, metali i verdhë do të vijojë të rritet nëse kushtet do të jenë të tilla.
Vetëm gjatë këtij viti, ari ka fituar më shumë se 12%. Investitorët, në pasiguri për shkak të politikave të paqarta ekonomike dhe politike të presidentit Donald Trump kanë gjetur strehim si gjithmonë, te ari.
Gjatë javës së kaluar, administrata Trump bombardoi një rajon të Afganistanit, si dhe hodhi idenë e një sulmi ushtarak në Korenë e Veriut, duke nxitur edhe më tej metalin e çmuar, si dhe duke rritur ndjeshëm projeksionet.
Vetëm gjatë së Hënës, rritja fiksohet në rreth 1%, duke prekur nivelin e 1,295 dollarëve për onz, që është niveli më i lartë që prej datës 9 nëntor të vitit të kaluar. “Prestige Economics”, që vlerësohet si kompania numër një në botë për projeksionet e metalit të verdhë, projekton se, ari do të vijojë të rritet.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.