Ari tregtohet i qëndrueshëm / Investitorët presin takimin e Rezervës Federale. Dollari pengon rritjen
Ari tregtohej i qëndrueshëm në sesionin e sotëm ndërkohë që investitorët presin përfundimin e takimit të Rezervës Federale, për të dhëna mbi programin e stimujve monetarë. Ari qëndroi në 1,859.9 dollarë për onz në sesionin e së Mërkurës, pasi ra në nivelin më të ulët që prej 17 Majit në 1,843.99 dollarë ditën e Hënë. Analistët thonë se ari ka rënë në ditët e fundit, çka reflekton pritshmëritë se Rezerva Federale mund të ulë stimujt monetarë më herët se ç’prisnin tregjet. Në këtë pikë, suporti do të jetë në 1,850 dollarë, dhe nëse thyhet kjo në 24 orët e fundit, mund të bjerë në 1,800 dollarë. Dollari ka mbetur gjithashtu i qëndrueshëm në nivelin më të lartë në 1 muaj, duke e bërë arin më të shtrenjtë për mbajtësit e valutave të huaja. Të dhënat në SHBA këtë javë treguan se shitjet me pakicë ranë më pak se ç’pritej në Maj, ndërsa indeksi i çmimit të prodhimit u rrit me 6.6%, me normën më të lartë në mbi 1 dekadë. Më herët gjatë muajit, u publikua një rritje e çmimeve të konsumit në SHBA. Megjithatë, FED ka bërë të ditur se presionet inflacioniste do jenë të përkohshme dhe se stimujt do qëndrojnë për disa kohë.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.