Arka e shtetit, “gropë” 30 mln euro – “Ndalon” qarkullimi në ekonomi, TVSH-ja 6.3 mld lekë minus
Në gjysmën e parë të vitit në arkën e shtetit janë mbledhur rreth 225,5 miliardë lekë apo rreth 3.6 miliardë lekë më pak se parashikimi i bërë për të njëjtën periudhë. Referuar treguesve fiskale të Ministrisë së Financave, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë për muajin Qershor rezulton të jenë arkëtuar 8.4 miliardë lekë më shumë. Ndërsa niveli i realizimit është 46 për qind, apo 1 për qind me i ulët se viti 2018. Vijimi i luhatjeve në kursin e këmbimit ka vijuar të japë goditje në buxhet në buxhet, në rënien e të ardhurave nga tatimet dhe doganat.
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar ka vijuar të kontribuojë negativisht, pasi në 5 muaj arkëtuar rreth 65.9 miliardë lekë, apo 6.3 miliardë lekë më pak se parashikimi i bërë për këtë periudhë. Përpos efekte të kursit të këmbimit, mos-mbledhja e TVSH tregon edhe tkurrjen e konsumit dhe dinamizmin e dobët të ekonomisë. Ndërsa paralelisht janë rimbursuar 8.6 miliardë lekë, apo rreth 1.5 miliardë më shumë se e njëjta periudhë e një vitit më parë. Po ashtu, negativisht kanë kontribuuar taksat nacionale, ku janë mbledhur rreth 2 miliardë lekë më pak se plani, dhe në total 17.5 miliardë lekë. .
Performancë pozitive ka pasur mbledhja e tatimit mbi fitimin, me rreth 2.3 miliardë lekë më shumë se plani, ku janë mbledhur rreth 20.4 miliardë lekë. Rritje ka pasur edhe tatimi mbi të ardhurat personale, ku janë mbledhur 22.1 miliardë lekë nga apo 2.1 miliardë lekë më shumë se plani. Po ashtu, pushteti vendor ka qenë shumë aktiv në mbledhjen e të ardhurave, me rreth 2.1 miliardë lekë më shumë se parashikimet. Ndërsa në 6 muaj u investuan 28.6 miliardë lekë. Për shkak të rënies së të ardhurave, Kryeministri Edi Rama bëri ndryshime në drejtimin e tatimeve dhe nisi edhe fushatën antinformalitet.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.