Arka me minus, investimet në rritje – COVID-19/ Qeveria nuk u kursye, në 10 muaj u shpenzuan 454 mln euro
Pavarësisht se arka e shtetit rezultoi me mungesë të ardhurash në afro 292 milionë euro në 10 mujorin 2020 për shkak të efekteve të pandemisë COVID-19 dhe pavarësisht sforcimit të qeverisë për të akomoduar këtë goditje e cila vijon, investimet publike nuk janë ndaluar. Përkundrazi, edhe pse në një vit të tillë mund të pritej shkurtim fondesh apo kursim në këtë drejtim për shkak të shpenzimeve të larta që kërkoi amortizimi i efekteve të pandemisë tek qytetarët dhe bizneset, shpenzimet kapitale duket se kanë arritur nivelin maksimal në 10 mujor, duke marrë në krahasim shifrat që nga viti 2010.
Referuar treguesve zyrtarë të Ministrisë së Financave në periudhën Janar-Tetor 2020, shpenzimet kapitale arritën në nivelin e 56.2 miliardë lekëve apo 454 milionë eurove. Po ta krahasojmë me 10-mujorët e viteve të mëparshme, shifra e parave të shpenzuara për punë publike është më e larta, përpos kostove në rritjen e deficitit buxhetor. Ndërsa shpenzimet kapitale më minimaliste rezultojnë në vitin 2016 m 33.7 miliardë lekë apo 272 milionë euro.
Pjesën më të madhe të investimeve e zënë ato me financim të brendshëm, ndërsa buxheti nga viti në vit në këtë drejtim ka ardhur në rritje. Për vitin 2021, pavarësisht pasigurive të situatës pandemike, shpenzimet kapitale janë parashikuar në rritje të mëtejshme në 7.2 për qind të PBB-së, ku kontribut të rëndësishëm ka edhe procesi i rindërtimit.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.