Armatoset Brazili! – Bolsonaro nënshkruan dekretin që do lehtësojë pajisjen me armë
Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, nënshkroi këtë javë një dekret që do ta bëjë më të lehtë për popullin që të blejë armë, pavarësisht shqetësimeve se kjo lëvizje mund të përkeqësojë krimet e dhunshme në vend.
Dekreti e bën shumë më të lehtë për të rriturit që nuk kanë dosje penale që të blejnë armë dhe t’i mbajnë në shtëpi. Dekreti nuk përfshin mbajtjen e armëve në publik, ku është e kufizuar vetëm për policinë, stafin e sigurisë private apo publike dhe ushtrinë.
Blerësit duhet të jenë të paktën 25 vjeç, të ndërmarrin një trajnim, të zhvillojnë një test psikologjik dhe të mos kenë dosje penale.
Njerëzit mund të zotërojnë 4 armë, në vend të limitit të mëparshëm prej 2, dhe nuk duhet të rinovojnë lejen për 10 vite. Zotëruesit e armëve do të duhet t’i mbajnë në kasafortë të kyçur nëse kanë fëmijë, adoleshentë apo persona me paaftësi mendore në familje.
Sipas Nelson Oliveira, presidentit të një klubi të qitjes në Sao Paulo, dekreti do të ndihmojë në uljen e kriminalitetit. Megjithatë, kundërshtarët thonë se armatosja e shoqërisë do të sjellë më shumë dhunë dhe se shumica e armëve që do të shite ligjërisht, do të përfundojnë në duar të kriminelëve.
“Të gjitha hulumtimet shkencore, jo vetëm në Brazil, tregojnë se shtimi i armëve do të rrisë numrin e dhunës prej tyre”, tha Nathalia Pollachi, mbështetëse e lëvizjes kundër armëve në institutin Sou da Paz.
Bolsonaro mori detyrën 2 javë më parë, pasi u zgjodh në muajin Tetor me premtimet se do të godasë krimin dhe korrupsionin.
Dekreti i presidentit është teknikisht i përkohshëm dhe pret ratifikim nga Kongresi i Brazilit. Por, me mbështetjen e fortë të anëtarëve konservatorë, kjo pritet të ndodhë së shpejti. Brazili regjistroi 64,000 vrasje në vitin 2017, duke u kthyer në vendin më të rrezikshëm në botë, që nuk ndodhet në luftë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.