Arrestohen 200 protestues në Hong Kong. Nis zbatimi i ligjit të ri kinez mbi sigurinë kombëtare
Policia e Hong Kongut ka lëshuar gaz lotsjellës dhe arrestuar mbi 200 persona, ndërkohë që protestuesit kundërshtuan ligjin e sigurisë të prezantuar nga Kina, që sipas kritikëve do të rrisë kontrollin tek qyteti. Pekini shpalosi detajet e ligjit të shumëpritur këtë Javë, që do të shtyjë qytetin me më shumë liri të Kinës dhe një nga qendrat më të mëdha financiare në botë drejt autoritarizmit.
Ndërkohë që mijëra protestues u mblodhën për përvjetorin e kalimit të kolonisë britanike tek Kina në vitin 1997, policia bëri arrestime pasi turmat bërtisnin “pavarësi për Hong Kongun”. Ligji i ri do të ndëshkojë veprimet separatiste, të përmbysjes, terrorizmit dhe përplasjes me forcat e huaja, deri në burgim të përjetshëm. Ligji do të caktojë agjenci kineze të sigurisë në Hong Kong për të parën herë dhe do të lejojë ekstradimet drejt kinës. Parlamenti kinez e kaloi ligjin në kundërpërgjigje të protestave të vitit të kaluar që shkaktuan frikë se Pekini po cenon liritë e vendit, që janë garantuar nga formula “një vend, dy sisteme”. Policia përdori për herë të parë ligjin, ndërsa përballej me protestuesit.
“Po shfaqni flamuj apo banera, këndoni slloganë dhe veproni me qëllime të separatizmit dhe përmbysjes, që është në kundërshti të ligjit të ri të sigurisë kombëtare”, shkruante policia në një baner. Autoritetet në Pekin dhe Hong Kong kanë përsëritur se ligji shënjestron një pakicë të “kriminelëve” dhe nuk do të ndikojë të drejtat dhe liritë, apo interesat e investitorëve. Kritikët thonë se ligji synon t’i japë fund opozitës pro-demokracisë. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët aziatik dhe perëndimorë, kanë kritikuar ashpër legjislacionin.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.