Arrestohet doganieri në Tushemisht-Lejoi kontrabandë frutash të thata. Procedohen edhe dy tregtarë
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit të kontrabandimit të mallrave, arrestuan në flagrancë shtetasit A.T., 47 vjeç, banues në Pogradec dhe F.D., 60 vjeç, banues në Tiranë (me detyrë doganier në Doganën e Tushemishtit).
Po ashtu, ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve S.L., 51 vjeç dhe A.G., 58 vjeç, banues në Pogradec.
“Gjatë kontrolleve të ushtruara nga ana e Policisë, në lagjen nr.1, Pogradec, në mjetin tip “Benz” në pronësi të shtetasit A.T., iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme mallrash të dyshuara kontrabandë (fruta ta thata), të cilat ky shtetas i ka kaluar nga Pika e Kalimit Kufitar Tushemisht, ku doganieri F.D., dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke mos kryer procedurën e zhdoganimit.
Ndërsa dy shtetasit e tjerë, S.L., dhe A.G., u kapën duke tregtuar në dyqanet respektive të tyre në qytetin e Pogradecit, sasi duhani të grirë, mall i dyshuar kontrabandë, i papajisur me pullë fiskale” njofton Policia.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.