Arrestohet lideri i opozitës – Bjellorusia në protestë kundër zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit!
Udhëheqësi i opozitës në Bjellorusi, Mikola Statkevich u dënua me 15 ditë në paraburgim policor të hënën, ndërsa dhjetëra aktivistë u mbajtën nga autoritetet pas mitingjeve të shumta në të gjithë vendin. Tensionet në Bjellorusinë ish-Sovjetike janë rikthyer pasi autoritetet njoftuan se zgjedhjet presidenciale do të mbaheshin 9 gusht.
Alexander Lukashenko, i cili ka qeverisur vendin me grusht hekuri që nga viti 1994, ka konfirmuar se do të kandidojë përsëri. Statkevich, i cili u arrestua të Dielën, u shpall fajtor për organizimin e një mitingu të paautorizuar në kryeqytetin Minsk në 24 maj, tha gruaja e tij Marina Adamovich për AFP.
Lukashenko të hënën i quajti aktivistët e opozitës si “banda kriminelësh” që duan të prishin votimin e ardhshëm. Udhëheqësi i fortë i vendit tha që ai ishte i gatshëm t’i “ndeshte ata vetëm, nëse do të ishte e nevojshme”. Grupet e të drejtave denoncuan atë që ata e përshkruanin si përndjekjen politike të video-blogerit popullor Sergei Tikhanovsky, i cili u arrestua dhe u akuzua për përdorim të dhunës kundër një oficeri policie në një tubim të Premten.
Grupi i avokimit Viasna tha se rreth 50 vetë janë arrestuar në demonstratat në Grodno në perëndim të vendit dhe në tubime në qytete të tjera. Pamjet nga tubimi, ku gruaja e Tikhanovsky, Svetlana ishte duke mbledhur nënshkrime për fushatën e saj presidenciale, tregonin një oficer policie duke rënë, dhe autoritetet nisën një hetim për dhunën policore. Më shumë njerëz që u mblodhën për të mbështetur kandidaturën e Svetlana Tikhanovskaya u arrestuan të Dielën.
Gjatë një ngjarje fushate të Premten Lukashenko hodhi poshtë mundësinë e një presidente femër në Bjellorusi. Kreu i opozitës, Statkevich, ju hoq e drejta për një kandidim të mundshëm për president muajin e kaluar për shkak të një dënimi të mëparshëm. Ai e sfidoi Lukashenkon në zgjedhje në 2010, por u dënua me gjashtë vjet burg. Ai u la i lirë në 2015-ën.(AFP)
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.