Arsimi profesional, Ahmetaj: Garanci për punësim – Ambasadorja gjermane premton mbështetje të vazhdueshme
Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj, si dhe ambasadorja gjermane Susanne Schutz kanë vizituar ditën e hënë shkollën profesionale të rikonstruktuar të Kamzës. Shkolla është një investim prej 213 milionë lekësh dhe në të do të studiojnë mbi 1800 nxënës në drejtime si: IT, shërbim social, hoteleri turizëm, bujqësi, etj.
Ahmetaj e quajti formimin profesional një zgjedhje të duhur, e cila ofron garanci për punësim për nxënësit.
“Para katër vitesh, 1/3 e nxënësve të kësaj shkolle kishte pune kur dilte nga shkolla, sot 2/3. Por imagjinoni që këtu ka 1800 nxënës sot. Dikur, sikur t’i numëronim për një ditë të gjithë mundësitë e punësimit, 600 veta mund të punësoheshin. I bie që sot punësohen 1200 veta. “Sot janë 76 mijë të papunë të regjistruar, ndërkohë në anën tjetër janë 46 mijë vende pune të lira, që i ka sjellë vetë në Shërbimin Kombëtar të Punës, të deklaruara, sektori privat. Teorikisht do të dukej sikur 46 mijë nga këta 76 mijë sot mund të punësoheshin, por kjo nuk është e vërtetë. Po pse nuk është e vërtetë? Sepse këta 76 mijë nuk kanë kualifikimin e duhur për të filluar punë nesër në ato 46 mijë vende pune që janë hapur. Ju do ta keni sepse keni zgjedhur arsimin e duhur,” u shpreh Ahmetaj.
Ministri theksoi se investimet për rikonstruksionin dhe ndërtimin e shkollave profesionale do të vijojnë edhe në të ardhmen. Ai dha si shembull dy projekte të qeverisë gjermane, e cila do të investojë 27 milionë euro në 10 vite në këtë fushë.
Nga ana e saj, ambasadorja gjermane rishprehu përkushtimin e qeverisë që ajo përfaqëson për zhvillimin e arsimit profesional në Shqipëri.
“Gjermania e mirëpret synimin e Qeverisë shqiptare për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies, ndërmjetësimin e praktikave pranë kompanive private dhe orientimin e kurrikulave drejt standardeve ndërkombëtare. Jini të sigurt, që ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim”, u shpreh Schutz.
Shkolla profesionale e Kamzës është qendra e parë multifunksionale në Shqipëri që aplikon sistemin dual që kombinon teorinë me praktikën, duke krijuar edhe Akademinë CISCO për nxënësit e IT, diplomat e të cilëve njihen edhe jashtë vendit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.