Arsimi profesional, më i kërkuar – 12.6% më shumë të punësuar se arsimi i mesëm i përgjithshëm
Rriten punësimet në radhët e nxënësve të cilët përfundojnë arsimin e mesëm profesional, krahasuar me ata të cilët mbarojnë arsimin e mesëm të përgjithshëm . Sipas të dhënave të publikuara në faqen e Ministrisë së Financave , ky vit rezulton me një rritje të shkallës së punësimit deri në 68.9% krahasuar me 56.36% të nxënësve me arsim të mesëm dhe parashikohet që të ketë një rritje të punësimit edhe përgjatë dy viteve të ardhshme nga 42% që është aktualisht në 46%.
Ajo çfarë shihet si prioritet në këtë sektor gjatë vitit 2021, krahas trajnimeve , është hartimi i programeve të reja dhe përshtatja me zhvillimin teknologjik kjo me synim rritjen e cilësisë në arsimin profesional përmes një buxheti i cili ka një rritje vetëm me 4.1% krahasuar me atë të 2020-ës , në shumën e 3.3 mld lekëve. ndërkohë për për programin e papunësisë në këtë sektor për vitin e ardhshëm janë parashikuar të shpenzohen 800 milionë lekë të cilat janë cilësuar si të mjaftueshme nga ana e Ministrisë së Financave për të gjithë ata persona të cilët dalin nga tregu i punës, kjo nisur edhe nga situata e fundit , ajo e tërmetit apo pandemia e covid -19, për shkak të së cilës shumë persona humbën vendin e punës duke rritur numrin e papunësisë edhe në radhët e atyre që kanë mbaruar arsimin profesional. Për këtë vit akademik në arsimin profesional janë regjistruar 17 mijë nxënës gjithsej, në 35 institucione publike, një numër ky në rritje krahasuar me vitet e mëparshme.
Nertila Doko / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.