Arsyet dhe qëllimet e Deeuroizimit – Malaj: Ndihmon BSH të përmbushë objektivat, ul rrezikun e kursit
Deeuroizimi do të kryhet me vijueshmëri të natyrshme dhe jo me sforco. Ky ka qenë prononcimi i anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Arben Malaj. Pas diskutimeve publike për objektivin e Bankës së Shqipërisë për të ulur përdorimin e monedhës euro në ekonominë shqiptare, Malaj ka sqaruar për SCAN arsyet e këtij vendimi.
“Shqetësimi në thelb është që politika që ne ndërmarrim, i ndërmarrim për monedhën kombëtare, interesi në lekë që është instrumenti kryesor i bankës qendrore. Por në qoftë se pjesa e ekonomisë shqiptare që funksionon në lekë fillon e tkurret, pjesë mbi të cilën ti ndikon do jetë më e vogël. Ky shqetësim është kudo, është element.”
Më tej Malaj ka ritheksuar se qëllimi është natyrshmëria e funksionimit të sistemit monetar dhe mbrojtja e individëve dhe bizneseve nga rreziqet e kursit të këmbimit.
“Ne kishim pasur edhe më para shqetësime që shpesh herë banka, edhe ato në funksion të objektivave të tyre preferonin të shisnin kredinë në valutë në raport me kredinë në lekë, sepse dhe ato dua që të shmangin një risk. I kanë në valutë, duan t’i japin në valutë dhe je në rregull. Mirëpo kur banka ia jep në valutë kredinë një njeriu që ka të ardhurat në lekë, i ka çuar atij riskun e kursit të këmbimit dhe nga ana tjetër ne nuk po hyjmë në vendimmarrje midis bankës dhe kredimarrësit.”
Gjithsesi procesi i zvogëlimit me jo më shumë se 10% të pranisë së euros në transaksionet shqiptare duket se do të jetë një proces i gjatë dhe shumë pak i ndjeshëm për aktorët në treg.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.