Artikulli në CNN: Çfarë di Boris Johnson për COVID-19, që pjesa tjetër e Europës nuk e di?!
Ka diçka kontradiktore në fjalimin e kryeministrit Boris Johnson sa i përket përgjigjes ndaj koronavirusit.
Kryeministri njoftoi se qeveria e tij po lëvizte që të “vononte” fazën e planit të tij për t’u përballur me shpërthimin dhe paralajmëroi britanikët se ata do të përballeshin me “krizën me të keqë të shëndetit publik të gjeneratës” dhe se duhet të jenë të përgatitur “për të humbur të dashurit e tyre para kohe”.
E megjithatë, përballë një perspektivë kaq të rëndë, a do të marrë Britania e Madhe të njëjtat masa paraprake të rrepta si vendet e tjera të prekura? Jo, ishte përgjigjja. Të paktën, jo tani.
Qeveria britanike ka thënë vazhdimisht se nuk beson se ndalimi i tubimeve në shkallë të gjerë dhe mbyllja e shkollave – siç kanë bërë Italia, Franca, Gjermania dhe Spanja – do të ishte efektive në parandalimin e përhapjes së sëmundjes.
Sidoqoftë, Johnson është nën presion për të bërë të njëjtën gjë dhe qeveria tha të Premten që po planifikonte të botonte legjislacionin e urgjencës për të ndaluar grumbullimet masive.
“Ministrat po punojnë me këshilltarin kryesor shkencor dhe shefin kryesor mjekësor në planin tonë për të ndaluar lloje të ndryshme të eventeve publike, duke përfshirë grumbullimet masive, duke filluar nga java e ardhshme,” ka deklaruar një burim anonim në median britanike.
Arsyeja që Mbretëria e Bashkuar nuk i ka aplikuar masat strikte të distancimit social duket se mbështetet te parashikimi i qeverisë së shpërthimi apo piku mund të mos arrijë deri në 14 javë nga tani dhe se njerëzit mund të mos jenë të gatshëm të ndryshojnë në mënyrë drastike mënyrat e tyre të jetës dhe të rrinë me rregullat e reja për më shumë se tre muaj.
Rekomandimi i fundit për britanikët është që të vetëizolohen për 7 ditë nëse shfaqin kollë të fortë dhe temperaturë të lartë dhe të vijojnë në mënyrë rigoroze të mbajnë higjienën duke larë vazhdimisht duart dhe duke dezinfektuar sipërfaqet e banesave e sendeve.
Ministrat e qeverisë pretendojnë se vendimet e tyre janë të bazuara terësisht në fakte shkencore. Shkenca, shprehen ata, aktualisht sugjeron se do të ishte në të mirë të vendit që të ndërtonte njëfarë imuniteti ndaj koronavirusit të ri në afatgjatë.
“Me pak fjalë, autoritetet duan që disa britanikë të marrin virusin, sepse për shumë prej tyre simptomat nuk do të jenë problematike” shkruan CNN.
Kjo qasje ka ndarë dukshëm opinionin e komunitetit mjekësor. Disa ekspertë e kanë akuzuar kryeministrin britanik se nuk po e kupton rëndësinë e situatës ndërsa disa të tjerë e lëvdojnë qeverinë se nuk po i nënshtrohet presionit të kontinentit europian sa i përket lëvizshmërisë publike.
Në Britani janë shënuar vdekjet e para dhe parashikimet e këshilltarit kryesor të qeverisë janë që mund të preken nga 5-10 mijë njerëz nga ky virus.
Shkencëtarët britanikë kanë konstatuar se virusi tipikisht shkakton një infeksion të butë te pacientët që nuk kanë probleme shëndetësore, e ky infeksion zgjat 5 ditë por për të moshuarit ose të sëmurët, patogjeni hyn në një fazë të dytë pas kësaj duke nxitur një reagim imun që shkakton dëme.
Shpresa e ekspertëve është që plani i ri i Mbretërisë së Bashkuar do të shtyjë kulmin e sëmundjes në fundin tradicional të sezonit të gripit, në prill dhe në verë, kur spitalet e vendit janë më pak të ngarkuara. Por shumë figura të komunitetit mjekësor nuk janë të bindur nga qasja që po ndjek qeveria. Doktorët që janë në krye të kujdesit shëndetësor kanë paralajmëruar për mungesën e mundshme të respiratorëve, sikurse u pa në Itali dhe Kinë kur pati raste të mëdha atje.
Shefi i gazetës së rëndësishme “The Lancet” kritikoi përgjigjen e Mbretërisë së Bashkuar ndaj krizës. “Për të shmangur një katastrofë të pamenaxhueshme në Mbretërinë e Bashkuar duhet të jemi të ndershëm për atë që duket se do të ndodhë në javët e ardhshme. Kemi nevojë të rrisim urgjent kapacitetet mjekësore të kujdesit intensiv” u shpreh Richard Horton.
“Nuk po tregohem alarmues. Ajo që po ndodh në Itali është reale dhe po ndodh. Qeveria jonë nuk po na përgatit për realitetin. Kemi nevojë urgjente për masat e distancimit social dhe për politika mbyllëse” vijoi ai.
Disa shkencëtarë megjithatë kanë bërë deklarata mbështetesë.
“E pranoj se nuk jam një fanse e Boris Johnson. Por relativisht jam e impresionuar se ndryshe nga liderët e tjerë që iu përkulën presionit të njëri-tjetrit dhe implementuan masa si mbyllja e shkollave apo ndalimi i udhetimit, që nuk e dijmë nëse do të bëjnë diferencën apo jo, Johnson po sheh atë që është e dukshme. Ai nuk po bën si Trump duke mbyllur kufinjtë, që ne e dijmë se nuk ka efekt. Ai po merr masa të kujdesshme, por PO, është si të luash bixhoz” shprehet Dr. Clare Wenham, asistent profesore për politikën shëndetësore globale në “London School of Economics”
Wenham shtoi për CNN se besonte se prioriteti i qeverisë është që të shmangë panikun dhe të siguronte bashkëpunimin e publikut për masat parandaluese.
“Është një bixhoz politik nëse ata e kanë gabim. Nëse te të gjitha vendet që morën masa parandaluese duke mbyllur shkollat dhe duke ndaluar lëvizjet masive apo grumbullimet, shihen ulje të prekjes dhe vdekshmërisë ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar ndodh ndryshe, atëhere kjo është bixhoz” shtoi ajo.
Strategjia është pagëzuar “ Dezinfekto, paguaj dhe lutu” nga një editorial në “Financial Times”.
Dhe këtu qëndron e dhëna: “Qeveria duket se mendon se paniku i shkaktuar nga lloji i ri i virusit – ose Covid-19 siç është bërë i njohur – mund të jetë më i rrezikshëm në planin afatgjatë sesa vetë sëmundja aktuale. Nëse bixhozi i “të qenit i qetë dhe i vazhduarit para ” përballë koronavirusit është qasja e duhur, vetëm koha do ta tregojë…
Marrë me shkurtime nga CNN/Përshtati në shqip: SCAN
Artikulli origjinal: https://edition.cnn.com/2020/03/13/uk/uk-coronavirus-response-boris-johnson-intl-gbr/index.html
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.