Ashensorët “e rrezikut”! Funksionimi i ‘makinave vertikale’ i parregulluar. Sfidat drejt standardizimit
Në datën 20 janar të këtij viti, zjarri i rënë në ashensorin e një pallati i mori jetën një gruaje shtatzënë. Ngjarja e rëndë u shënua në zonën e Freskut në Tiranë, ku 31-vjeçarja Drilona Duriçi u bllokua në ashensorin e përfshirë nga flakët. Me gjithë ndihmën e dhënë nga banorët e pallatit, shpëtimi i nënës së një fëmije 5 vjeç ishte i pamundur dhe fatkeqësisht gruaja vdiq e djegur brenda kabinës së ashensorit.
Sipas raportit të Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial gjithçka ndodhi pasi depozita e vajit të ashensorit hidraulik, e cila ndodhej brenda kafazit të ashensorit, mori zjarr. Ndërkohë që, sipas këtij institucioni, nga kontrolli i rrjetit elektrik në dy “box”-et kolektive, rezultoi se nuk kishte asnjë rënie automati monofazor që u përkiste familjarëve. Ndërkaq, Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për zbulimin e shkaqeve të ngjarjes dhe paraprakisht u bë me dije se hetuesit gjetën prova të shumta, që tregonin se ashensori nuk ishte mirëmbajtur e pastruar siç duhej prej kohësh.
Por, në datën 22 prill 2017 organi i akuzës vendosi të arkivojë dosjen, duke e klasifikuar ngjarjen si aksidentale dhe se asnjë shoqëri apo individ nuk ishte përgjegjës për këtë. Nëntë muaj pas kësaj ngjarjeje, nëse kjo situatë do të përsëritej, sërish nuk do të mund të kishte një përgjegjës, ndonëse gjasat janë të shumta, në një kohë kur asnjë ‘makinë vertikale’ që funksionon në Shqipëri nuk është e pajisur me certifikatën e sigurisë. Që prej instalimeve të para, ky treg është tërësisht i parregulluar, ndërsa hallkat e zinxhirit, që duhet të garantojnë standardet, aktualisht nuk funksionojnë.
Në një intervistë “pa dorashka” drejtori i Drejtorisë së Mbikëqyrjes së Produkteve, pranë Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, Julian Llupo thotë se për momentin asnjë ashensor nuk është i certifikuar me markën CE, duke u kthyer në rrezik potencial për përdoruesit. Përmes kësaj interviste, dhënë për “Scan Magazine”, Llupo shpjegon në detaje se si duhet të funksionojë standardizimi i këtyre pajisjeve, ndërsa bën me dije se për herë të parë në vendin tonë, prej pak javësh është licencuar kompania e parë që do të bëjë standardizimin e instalimeve të ashensorëve. Megjithatë, sipas tij është themelore zgjidhja e problemit për personin përgjegjës, ngritja e një hallke të përbashkët mes institucioneve doganore dhe ISHMT për kontrollet e këtyre pajisjeve në momentin e importit si dhe mirëmbajtja nga kompanitë e licencuara.
Llupo, aktualisht janë një sërë ligjesh dhe dispozitash nënligjore që rregullojnë funksionimin dhe sigurinë e ashensorëve në vend. Në këndvështrimin tuaj, sa të zbatueshme janë aktualisht këto dispozita?
Siguria e ashensorëve është e rregulluar me 2 ligje dhe përkatësisht: “Për sigurinë e përgjithshme të produkteve” dhe “Për sigurinë e produkteve joushqimore”. Njëkohësisht, në zbatim të këtyre ligjeve janë nxjerrë dhe dispozitat përkatëse, siç janë VKM-të apo urdhrat për t’u zbatuar nga gjithë personat që janë pjesë e instalimit të ashensorëve, personat përgjegjës, institucionet ligjzbatuese siç është struktura përgjegjëse e Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut apo organet që miratohen me urdhër të ministrit. Të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces duhet të zbatojnë bazën ligjore dhe të certifikojnë ashensorët, të cilët janë të një rëndësie të veçantë si për anën sociale si “makina” në shërbim të qytetarëve, por pikësëpari duhet të zbatojnë rregullat e sigurisë. Aktualisht, duke qenë se rregullat teknikë kanë dalë në vitin 2015 dhe procesi parashikohet të ketë rezultatet e para dhe të shkojë drejt finalizimit në fund të vitit 2018, parashikohet një punë e madhe sepse së pari duhet të centralizohet i gjithë informacioni në rang kombëtar.
Siç është parashikuar edhe në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave, të gjithë ashensorët në rang vendi do të regjistrohen pranë strukturës përgjegjëse që është ISHMT, çka do të krijojë regjistrin elektronik të ashensorëve, i cili do të përmbajë të gjithë dosjet teknike të tyre. Pra, presupozohet që çdo ashensor në Shqipëri të ketë një dosje teknike të mirëfilltë, duke filluar nga vendndodhja, numri i identifikimit dhe gjithë detajet teknike, kontrollet që janë realizuar, gjendja, viti i podhimit, certifikimet që ka. Kjo do të mundësojë një monitorim të vazhdueshëm, pasi parashikohet që këto makina, në mënyrë që të garantojnë siguri, duhet të përfshihen në kontrolle periodike, përsa i përket çështjeve të sigurisë dhe standardeve.
Deri në çfarë faze jemi me krijimin e këtij regjistri sepse ju përmendët fundin e vitit 2018, por referuar VKM-së, për ashensorët e instaluar para vitit 2009, ky proces duhet të ketë përfunduar në fund të vitit 2017?
Procesi ka nisur nga inspektorati, i cili gjithashtu është një strukturë e re. Ky inspektorat është krijuar vetëm në fillim të vitit 2016. Procesi i ngritjes së kësaj strukture kuptohet që ka vështirësitë e veta, për shkak të proceseve që kalon rekrutimi i stafit e për pasojë e ka filluar aktivitetin në vitin 2017. Ka nisur pikërisht me ngritjen e regjistrit kombëtar të ashensorëve, ndërkohë që të vetmit institucione që aktualisht kanë informacion përsa i përket numrit dhe vendodhjes së tyre, pra për informacionet bazike, janë vetëm bashkitë. Ka nisur prej disa muajsh grumbullimi i informacioneve dhe bashkitë që janë më të vogla kanë sjellë informacione për shkak dhe të numrit të pakët të banesave që janë me ashensor. Ndërsa bashkitë e mëdha si Tirana, Durrësi apo Vlora janë në proces të grumbullimit dhe listimit të këtij informacioni. Ky është procesi i parë bazik që do të identifikojë ashensorët dhe vendndodhjen e tyre si dhe ato të dhëna të cilat janë marrë gjatë procesit të dhënieve të lejeve të ndërtimit nga bashkitë. Me marrjen e këtij informacioni bazik do të fillojnë dhe proceset e tjera të cilat kërkojnë kohën e tyre.
Në momentin që ne nuk e kemi këtë regjistër, a mund të themi se ky sektor është jashtë kontrollit dhe siguria nuk mund të garantohet?
Ngritja e regjistrit është një nevojë dhe domosdoshmëri për institucionet e kontrollit dhe për trupat e miratuar. Referuar bazës ligjore në Shqipëri, është parashikuar që procesi të shkojë në një mënyrë të tillë: struktura përgjegjëse për kontrollin e ashensorëve për banesat, për rezidentët dhe për qendrat tregtare, pra jo ashensorët që përdoren për industri të caktuara, është pikërisht ISHMT, i cili ka nisur procesin e regjistrimit që unë përmenda pak më lart. Me identifikimin e ashensorëve, në bashkëpunim me bashkitë dhe me administratorët e pallateve, do të nisë edhe procesi tjetër, i cili do të konsistojë në detyrimin e këtyre personave përgjegjës, që në shumë raste janë banorët e pallateve, të cilët duhet të kryejnë certifikimin fillestar të ashensorëve. Certifikimi fillestar, për ashensorët në përdorim dhe ata të rinj bëhet nga një organ i miratuar.
Çfarë po ndodh me organet e miratuar, pasi deri më tani nuk e kemi patur një të tillë?
Për herë të parë sapo është dhënë një certifikim nga ministri përgjegjës për ekonominë dhe financat, çka do të thotë se tashmë kemi një organ të miratuar në shkallë vendi.
Përse kaq vonë ky certifikim sepse procesi në fakt duhej të kishte filluar që prej vitit 2015?
Procesi i marrjes së të drejtës për të bërë certifikimin CE, që presupozon një certifikim të standardeve evropiane, kërkon kohë për disa arsye. Trupat notifikuese që bëjnë certifikimin CE për ashensorë janë shumë pak, llogariten në rreth 25-30 trupa certifikuese, që janë të listuara edhe në faqen e Komisionit Evropian. Mundësia për të realizuar një certifikim CE në instalim, në Shqipëri kërkon që një degë e këtyre trupave certifikues të fillojë aktivitetin në Shqipëri ose një trupë shqiptare të marrë këtë certifikim nga këto organizma evropianë. Pra kërkon një proces kualifikimi të këtyre trupave, pasi fillimisht ato duhet të certifikohen nga organizmat ndërkombëtarë dhe më pas të aplikojnë pranë ministrisë përgjegjëse. Kjo përsa i përket certifikimit të parë, i cili është procesi bazik që duhet të zhvillohet në të gjithë vendin për ashensorët në përdorim dhe për ata të rinj. Kjo presupozon që në momentin e instalimit, ashensorët përsa i përket pjesëve bazike (kabina, instalimet, kulla, kriteret teknike, etj.) duhet të marrin certifikim nga ky organ i miratuar. Vetëm në këtë moment presupozohet që ky ashensor mund të vihet në përdorim. Në fakt, ky është një treg i hapur për të gjithë që duan të aplikojnë dhe që plotësojnë kriteret e mësipërme, ndërkohë që marrëdhëniet e tyre me personat përgjegjës për ashensorët, të cilët janë banorët ose pronarët e qendrave tregtare janë marrëdhënie private. Por, ky është një detyrim ligjor që duhet të realizohet.
Praktikisht, çfarë nënkupton për tregun aktual mungesa e organit të miratuar: do të thotë që ashensorët që janë instaluar deri më sot nuk e kanë kaluar këtë proces kontrolli?
Ashensorët që janë aktualisht në përdorim nuk e kanë kaluar këtë proces kontrolli. Ky proces presupozon që në një vend të dukshëm, përveç përpilimit të një dosjeje teknike ku vlerësohen të gjitha pjesët e ashensorit, jepet miratimi nga kjo trupë që ky ashensor është brenda standardeve evropiane të sigurisë dhe në këtë moment ky ashensor mund të vihet në përdorim. Kjo nënkupton që në një vend të dukshëm të vendoset markimi CE, ku organet e kontrollit e konstatojnë me një shikim të parë ose personat që e përdorin kuptojnë se ky ashensor është i certifikuar brenda standardeve. Përveç kësaj, organi i miratuar përpilon një dosje në bashkëpunim me instaluesin e ashensorit, i cili duhet t’i vendosë në dispozicion të gjitha dokumentet dhe veprimet që ka kryer për instalimin. Dosja me këto të dhëna, përveçse i dorëzohet personit përgjegjës, i cili e mban, dorëzohet edhe pranë ISHMT.
Pra, çdo ashensor duhet të ketë kartelën e tij, fillimisht në instalim. Ky është procesi i parë i nevojshëm për të gjithë ashensorët. Por, ky është vetëm fillimi i procesit sepse ashensorët kërkojnë mirëmbajtje periodike. Kjo kryhet nga persona të certifikuar, të specializuar që bëjnë shërbimet bazë për ashensorin, në mënyrë që ai të jetë një makinë në përdorim të rregullt. Nga ana e certifikimit, të gjithë ashensorët duhet të kenë edhe një tjetër certifikim, që gjithashtu bëhet nga një trupë e certifikuar dhe që parashikohet si inspektim periodik. Kjo do të thotë se një organ i miratuar në fushën e inspektimit, bën inspektimin periodik të ashensorëve një herë në vit përsa i përket banesave ku jetojnë rezidentë dhe një herë në 6 muaj për ashensorët e qendrave tregtare apo aktivitete të tjera biznesi. Pra, kemi 2 procese të ndryshme. Aktualisht, trupat inspektuese ose organet e miratuara janë disa, që janë në proces certifikimi në Bashkimin Evropan e më pas do të bëhet marrja e urdhrit nga ministri përkatës, pasi ato plotësojnë kriteret.
Çfarë ndodh me kontrollet periodike të këtyre organeve?
Gjatë kontrolleve periodike këto organe duhet të certifikojnë ashensorin, ndërsa në rastet kur konstatojnë probleme mbajnë procesverbale dhe ia delegojnë mirëmbajtësit ose instaluesve kur bëhet fjalë për probleme të tilla. Pra, i gjithë procesi kërkon ngritjen e një sërë strukturash, që duhet të jenë të certifikuara.
Një nga hallkat e rëndësishme në drejtim të sigurisë së ashensorëve janë edhe personat përgjegjës, që sikurse thatë edhe ju në pjesën më të madhe janë banorët e pallateve. Si duhet të zgjidhet kjo pjesë sepse në shumë raste vetë banorët nuk arrijnë dot të koordinohen mes tyre, duke mos gjetur dakordësi?
Problematika që shtrohet është e njëjtë me hapësirat publike, të cilat janë aktualisht duke u trajtuar me administratorët e pallateve dhe me kalimin e tyre në një status tjetër përmes përmirësimeve ligjore. Kjo është pika kryesore e nisjes së procesit, i cili bëhet përcaktues edhe përsa i përket certifikimit dhe sjelljes në standard të të gjithë ashensorëve në Shqipëri. Pikësëpari duhet të zgjidhet problemi me shfrytëzimin e hapësirave të përbashkëta, ku futet dhe përdorimi i ashensorit. Banorët duhet të jenë të informuar përsa i përket rëndësisë dhe sigurisë së certifikimit të ashensorëve, që lidhet drejpërdrejt me jetën e tyre. Kjo do të thotë se ata duhet të marrin përsipër edhe kostot e këtij procesi, brenda administrimit të hapësirës publike. Sikurse paguajnë tarifat e tjera, do të ketë edhe një tarifë përsa i përket këtij procesi që është tejet i domosdoshëm për t’u futur në kornizat e duhura ligjore. Në këtë situatë roli i administratorit është shumë i rëndësishëm, pasi nënkupton edhe një proces të shpjetë të mbledhjes së detyrimeve. Kjo do të jetë një zgjidhje për administrimin e të gjithë hapësirave publike, por që përfshin edhe pjesën e ashensorëve.
Administratori do të jetë përgjegjës edhe për mirëmbajtjen e ashensorëve?
Administratori është përgjegjës për procesin e mirëmbajtes, pasi mirëmbajtja bëhet nga trupat përkatëse.
Administratori do të jetë përgjegjës për kontraktimin e trupave mirëmbajtëse.
Çfarë përgjegjësish do të ketë administratori në rastin e një incidenti?
Administratori nuk është përgjegjës kur ai ka kryer të gjithë proceset brenda rregullave. Ai është përgjegjës për të realizuar të gjithë hapat e nevojshëm për sjelljen brenda rregullave të ashensorit, duke filluar nga certifikimi fillestar CE, që kryhet nga organi i miratuar dhe inspektimet periodike siç parashikohen në urdhrat përkatës. Ndërkohë që, nëse administratori ka zbatuar detyrat që organi i miratuar i ka lënë përsa i përket mirëmbajtjes, ka kryer mirëmbajtjen periodike dhe të gjitha ndryshimet për sjelljen e ashensorit brenda parametrave, përgjegjësitë e tij në rastet e aksidenteve janë zero. Në rast se administratori nuk e kryen gjithë këtë proces, atëhere asambleja e banorëve ose organet e tjera do të zbatojnë ligjin.
Çfarë ndodh nëse banorët nuk duan të paguajnë për mirëmbajtjen e ashensorëve?
Kjo presupozohet të jetë e zgjidhur me ligjin “Për hapësirat publike”. Kjo nuk mund të ndodhë sepse në fund të procesit këta banorë nuk do të kenë një ashensor. Në fund të procesit, ashensorët që nuk do certifikohen dhe nuk do zbatojnë procedurën e kontrolleve dhe mirëmbajtjen, do të bllokohet nga ISHMT. Pra, procesi nuk mund të vazhdojë si aktualisht, që kemi ashensorë të pasigurt.
Në gjithë këtë proces, cili është roli i ISHMT?
Inspektorati ka rolin kryesor përmbyllës. ISHMT kryen kontrolle në treg në bazë të riskut. Pasi ky proces të fillojë, ne do të kryejmë kontrolle periodike në bazë të ankesave që mund të kenë gjithë pjesëmarrësit në këtë treg. Në një shembull konkret, ISHMT merr dosjen e ashensorit, shikon certifikimin fillestar, detyrat e lëna nga organi i miratuar apo inspektimin periodik. Pra bën një inspektim të mirëfilltë dhe në fund del me një vendim përfundimtar, i cili mund të jetë që nga mbyllja e ashensorit, deri te marrja e masave për organin e miratuar përkatës. Ne jemi organi më i lartë përsa i përket kontrollit përfundimtar të të gjithë procesit.
Më lart folët edhe për mungesën e ndërgjegjësimit të qytetarëve. Për të kuptuar më tepër, sa i rrezikshëm është një ashensor që është jashtë standardeve?
Ashensori jashtë standardeve është një nga makinat më të rrezikshme. Nëse do të bëjmë një krahasim me makinat që ne përdorim çdo ditë për transport, me një makinë vertikale siç është ashensori, kuptohet që në rastin e moszbatimit të rregullit teknik dhe shkeljes të tyre në mënyrë flagrante, makina vertikale bëhet tepër e rrezikshme për jetën dhe sigurinë e banorëve. Pra, çështjet e sigurisë fillojnë që nga instalimet elektrike, në kullën e ashensorit, instalimet në kabinën e ashensorit apo pjesët e përdorura, pasi presupozohet që ashensori, që në momentin e prodhimit duhet të ketë standardin CE. Pra, që në momentin që vjen si makinë e pamontuar duhet të ketë certifikata përkatëse.
Këtu hyn edhe përgjegjësia e importuesit, duke qenë se Shqipëria nuk prodhon vetë ashensorë. Çfarë ndodh aktualisht me këtë hallkë të ‘zinxhirit’ dhe cili është roli i doganave në kontrollin e tyre?
Këto produkte duhet të kenë standardin CE, por referuar ligjit duhet të jenë të përfshirë edhe një aktor tjetër, që në këtë rast është ISHMT. Në të gjitha rastet duhet që vlerësimi të bëhet së bashku me inspektoratin. Pra, duhet të ketë një pikë kontrolli të përbashkët, për të gjitha produktet joushqimore që mbartin risqe të larta përsa i përket përdorimit.
Aktualisht, e kemi këtë pikë?
Është në hartim një memorandum bashkëpunimi midis institucioneve, pra mes doganave dhe ISHMT. Doganat kryejnë kontrollet e tyre, por procesi duhet të monitorohet edhe nga ekspertët tanë.
Praktikisht, në mungesë të kontrollit të plotë në dogana, mungesës së organeve të miratuara që bëjnë certfikimin në instalim dhe mungesës së personave përgjegjës, a mund të themi se aktualisht ashensorët janë jashtë standardeve, duke përbërë rrezik serioz për qytetarët?
Ne nuk kemi statistika të sakta, pasi i gjithë procesi duhet të përmbyllet. Ashensorët aktualisht nuk kanë dosjen e vet, por në momentin që një ashensor nuk është i certifikuar me markën CE dhe instalimi i tij nuk është bërë sipas standardeve nuk mund të themi që ata janë të sigurtë. Ne aktualisht, nuk mund të realizojmë inspektime, pasi ashensorët nuk i kanë këto certifikata, çka do të thotë se presupozohet që këta ashensorë janë vënë në përdorim në mënyrë të parregullt. Ashensorët mund të jenë edhe brenda rregullave të sigurisë, por nuk ka një certifikatë që e thotë këtë.
Kur mund ta kemi të garantuar sigurinë?
Pika më problematike e vlerësuar nga gjithë institucionet është përmbyllja e procesit të administrimit të hapësirave publike. Në momentin që banorët do marrin përsipër këto përgjegjësi dhe administratorët do kryejnë rolin e tyre, atëhere procesi mund të vazhdojë normalisht dhe institucionet e tjera mund të kryejnë punën e tyre. Nëse ky proces nuk përfundon, atëherë detyra e ISHMT-së dhe trupave të organeve të miratuara bëhet tepër e vështirë.
Ola Mitre/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.