Asistencë teknike për BSH – Nënshkruhet marrëveshja me qeverinë zvicerane
Banka e Shqipërisë nënshkroi të premten memorandumin e mirëkuptimit me Sekretariatin e Shtetit për Çështjet Ekonomike të Zvicrës për fazën e dytë të programit të asistencës teknike në mbështetje të bankave qendrore.
Guvernatori, Gent Sejko, tha se faza e parë e bashkëpunimit, nga 2013 deri në 2018, ka sjellë përfitime të prekshme për Bankën e Shqipërisë, në drejtim të kërkimit shkencor, politikës monetare dhe stabilitetit financiar.
Ambasadori zviceran, Adrian Maitre (Adrian Metër), vlerësoi bashkëpunimin në fazën e parë të projektit. Sipas tij, Banka e Shqipërisë është një nga institucionet me të cilat vendi mund të krenohet.
Banka e Shqipërisë pret që nga zbatimi i fazës së dytë të projektit, deri në vitin 2022, vendimmarrja e politikës monetare të mbështetet nga kapacitete parashikuese të përmirësuara, ndërsa formulimi i politikës makroprudenciale pritet të përdorë njohuri më të zgjeruara mbi rreziqet.
Këto janë disa nga synimet që qëndrojnë edhe në thelb të strategjisë afatmesme të Bankës Qendrore.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.