Asnjë dron pa leje – AAC bën gati rregulloren, penalizime sipas Kodit Ajror
Të gjithë personat që janë përdorues të dronëve do të duhet që paraprakisht të pajisjen me leje nga Autoeriteti i Aviacionit Civil, pasi në të kundër do të penalizohen. Gjithçka përcaktohet në draft-rregulloren për përdorimin e dronëve, e cila është nxjerrë për konsultim publik nga Autoriteti i Aviacionit Civil. Sipas këtij dokumenti, për të marrë lejen e fluturimit do të duhet të paraqitet aplikimi me shkrim tek AAC, duke dorëzuar dhe dokumentacionin e nevojshëm për të provuar se sistemi është i aftë për të kryer i sigurt aktivitetin.
Ndërkaq, rregullorja përcakton se Autoriteti i Aviacionit Civil mund të marrë masa të pezullimit të autorizimeve apo certifikatave të lëshuara ose të anulojë privilegjet e fituara me anë të një deklarate, në rast të mospërputhjes me parashikimet e Rregullores ose kur një operator demonstron paaftësinë për të siguruar pajtueshmërinë.
Autorizimet, miratimet dhe privilegjet e fituara me anë të një deklarate, gjithashtu mund të pezullohen nëse operatori nuk lejon AAC të kryejë inspektime. Periudha e pezullimit nuk duhet të kalojë 6 muaj, ndërkohë që ato shfuqizohen tërësish në rast se operatori nuk arrin të rivendosë përmbushjen e kërkesave brenda kohës së lejuar. Penalizimet e parashikuara në rregullore do të bazohen në Kodin Ajror, ndërkohë që të gjithë grupet e interesit janë të ftuar të japin sugjerime mbi draft-rregulloren e propozuar.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.