“Asnjë parti s’respekton masat anti-covid” – Monitorimi për 6 parti/ Grumbullime pa maska dhe pa distancë
Asnjë prej partive politike në vend nuk ka zbatuar rregullat anticovid të vendosur nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, për frenimin e përhapjes së COVID-19, gjatë aktiviteteve të tyre politike. Në këtë përfundim ka arritur një monitorim i kryer nga organizata “Together for Life”, për periudhën 1 shkurt-15 mars 2021. Në monitorim u përfshinë 6 parti e më konkretisht: Partia Socialiste, Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim, si dhe disa nga subjektet më të reja politike që do të marrin pjesë në zgjedhjen e 25 prillit e që janë: Nisma Thurje, Lëvizja për Ndryshim dhe Bindja Demokratike. Gjatë periudhës së vëzhgimit, vendimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve ndalonte grumbullimin e më tepër se 10 personave në ambiente të mbyllura apo të hapura, si dhe kërkonte mbajtjen e maskës kudo jashtë shtëpisë dhe mbajtjen e distancave fizike nga persona të tjerë.
Por, sipas monitorimit, me shqetësim është vërejtur tendenca e disa subjekteve dhe drejtuesve politikë për të fshehur shkeljet, nëpërmjet manipulimit të pamjeve nga aktivitetet politike. Nga monitorimi dhe analiza e aktiviteteve politike të 6 subjekteve u konstatua se Edi Rama dhe Lulzim Basha, kanë pasur nivelin më të lartë të zbatimit të masave anti-COVID. Por në takimet elektorale midis 11-15 Mars, qasja e Bashës ndryshoi dhe masat u shkelën mëse një herë gjatë grumbullimeve masive, ku nuk u respektuan as distancat dhe as mbajtja e maskës. Gjithashtu, rezulton se kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi dhe koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, i kanë shkelur më së shumti masat anti-COVID, ndërsa subjektet që kandidojnë për herë të parë, ndonëse kanë zhvilluar më pak takime gjatë periudhës së monitorimit kanë treguar tendencën e shkeljes së masave.
Nisur nga kjo situatë, organizata “Together for life” kërkon që të ritheksohet si masë e domosdoshme mbajtja e maskës nga folësit, sidomos në ambiente te mbyllura, si dhe të merren masa për zbatimin e rregullave jo vetëm nga çdo qytetar, por edhe nga çdo subjekt politik apo kandidat. Gjithashtu, rekomandohet detyrimi i subjekteve dhe kandidatëve për të transmetuar videot dhe publikuar fotot e aktiviteteve politike, në të cilat të jenë të përfshira edhe planet e mëdha ku mund të dallohet pjesëmarrja dhe distancat.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.