AstraZeneca, imunitet ligjor me BE. Marrëveshja e vaksinës do e mbrojë nga dëmshpërblimet dhe kostot ligjore
Qeveritë europiane do të paguajnë dëmshpërblime, sipër një limiti të rënë dakord, me AstraZeneca për efektet anësore të vaksinës së Covid-19, nën kushte të ndryshme ndaj marrëveshjes së arritur me Sanofi. Marrëveshja reflekton strategjitë e ndryshme të dy prodhuesve kryesor në botë të barnave për t’u mbrojtur, ndërkohë që vazhdon debati mbi përgjegjësitë ligjore për vaksinën. AstraZeneca ka siguruar mbështetjen e BE në një marrëveshje konfidenciale, që reflekton çmimin më të ulët për dozë të kërkuar nga kompania britanike. Sipas zyrtarëve për Reuters, nëse një kompani kërkon për një çmim më të lartë, kushtet ndryshojnë.
Efektet e papritura anësore, pasi një ilaç merr miratim rregullator, janë të ralla, por shpejtësia nën të cilën po zhvillohet vaksina e Covid-19, ngre rreziqet e situatave të paparashikuara. Marrëveshja me AstraZeneca, që zhvendos një pjesë të rreziqeve të lidhura me vaksinën tek taksapaguesit, u arrit në Gusht dhe klauzolat e përgjegjësisë nuk janë raportuar më parë. Nën këtë marrëveshje, AstraZeneca do të paguajë kostot ligjore deri në një limit të dhënë, sipas zyrtarëve për Reuters.
Mbrojtja financiare do të mbulojë si kostot ligjore ashtu edhe dëmshpërblimet e mundshme, që janë më të rralla por në përmasa më të mëdha, nëse diçka nuk shkon si ç’duhet. Në këmbim të çmimit më të lartë të paguar për vaksinën, prodhuesi francez Sanofi, që po punon me GlaxoSmithKline, nuk përfitoi ndonjë zbritje të përgjegjësive ligjore. Nën marrëveshjen me AstraZeneca, Shtetet e Bashkimit Europian kanë rënë dakord të paguajnë 2.5 euro për dozë, ndërsa Sanofi ka negociuar një çmim në rreth 10 euro, sipas burimeve për Reuters.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.