Asus sjell smarphone-in për lojëra – “ROG phone” ka dy ekrane dhe butona virtualë në anë
Cila është pjesa më e vështirë e të luajturit lojëra me cilësi të lartë në telefonin tënd? Mungesa e butonave mund të jetë ndoshta gjëja më frustruese, por Asus mund të ketë gjetur një zgjidhje.
Prodhuesi i pajisjeve elektronike ka zbuluar në panairin gjigand aziatik në Taivan, “Computex”, një smartphone, i cili është posaçërisht për lojëra. “ROG phone” shoqërohet me disa aksesorë shtesë si freskuese dhe pajisje që e lejojnë të lidhet me kompjuterin apo televizorin, si dhe vjen me specifika mbresëlënëse.
Por mbi të gjitha ky celular ka butona virtualë në anët e tij, të cilët mund të regjistrojnë prekjen e trupit të telefonit. Secili prej këtyre butonave mund të programohet me një funksion të veçantë, si gjuajtja me armë apo frenimi në një videolojë.
Por veçoritë e ROG nuk mbarojnë këtu, pasi edhe detajet kanë mjaft rëndësi. Ai ka dy vende karikimi: një në fund si çdo telefon dhe një në anë në mënyrë që të mos pengohesh nga priza kur luan.
Por ka edhe gjëra të mëdha, si aksesori i quajtur “TwinView Dock”, i cili e transformon telefonin në një pajisje me dy ekrane, në mënyrë të ngjashme me Nintendo DS. Krahas dy butonave shtesë fizikë, ky aksesor shton edhe një kapacitet shtesë baterie prej 6 mijë mAh dhe një kamera selfie në mënyrë që lojtarët të regjistrojnë veten teksa luajnë.
Vetë telefoni vjen i pajisur me 8 GB RAM, 512 GB hapësirë, një bateri 4 mijë mAH, procesor Snapdragon 845, një ekran 6 inch dhe dy kamera të pasme prej 12 dhe 8 megapixel.
Asus thotë se ROG phone është më i shpejti në treg për momentin dhe se bateria e telefonit mund të zgjasë mbi 7 orë kur është i lidhur me Wi-Fi duke luajtur.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.