ATK: Rastet kur importet përjashtohen nga TVSH, çfarë duhet të dorëzojë tatimpaguesi
Importi i mallrave, si dhe blerja e mallrave/shërbimeve brenda vendit, janë të përjashtuara nga TVSH, nëse dëshmohet se importimi/blerja bëhet me mjete të financuara nga donacionet.
Administrata Tatimore e Kosovës, ri-kujton të gjithë tatimpaguesit se për t’u përjashtuar nga TVSH, “përfituesi i donacionit duhet të dëshmoj përmes marrëveshjes së financimit apo ndonjë dokumenti tjetër se mallrat e importuara apo mallrat/shërbimet e blera brenda vendit, janë të financuara nga donacionet”.
Në rastet kur ofrohet dëshmia nga blerësi se importimi i mallrave është duke u bërë me mjete të financuara nga donacionet, Dogana e Kosovës do të vlerësoj dhe do të lejoj importimin pa TVSH.
“Po ashtu, në rastet e blerjes së mallrave/shërbimeve brenda vendit, kur ofrohet dëshmia nga blerësi se blerja e mallrave/shërbimeve është duke u bërë me mjete të financuara nga donacionet, furnizimi do të bëhet pa TVSH duke shënuar në faturë referencën e nenit 33, paragrafit 3, nën paragrafit 3.1 të Ligjit Nr. 05/L-037 për TVSH. Nëse nuk ofrohet dëshmia, atëherë importimi/furnizimi do të bëhet me TVSH”, thuhet në njoftim.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.