Auditimi i shoqërive publike, KLSH: S’ka dokumente për mënyrën si llogaritet kosto
Janë shtatë shoqëri publike në vend që ofrojnë shërbimet e tyre kundër të cilave arkëtojnë edhe para. Pesha e tyre është jashtëzakonisht e lartë dhe si të tilla certifikimi i pasqyrave financiare merr një rëndësi të veçantë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kaluar në sitën e tij mënyrën sesi certifikohen pasqyrat për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Eklektike, Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare, Operatorin e Sistemit të Transmetimit, Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime, Autoriteti Portual Durrës, Albetrol dhe Posta Shqiptare sha.
Në raport një ndër problematikat që ngrihet është ajo mbi kostot e auditimit të cilat nuk janë të bazuara me dokumente.
“Mënyra e përzgjedhjes së audituesve ligjorë për certifikimin e pasqyrave financiare nuk siguron efiçencë dhe garanci në shërbimet e marra për sa kohë konstatohet mungesa e kritereve, transparencës dhe konkurrencës së hapur mbi të cilat përzgjidhen ekspertët, si dhe nuk është e dokumentuar mënyra e llogaritjes së vlerës së kontratave”, thuhet në raport.
Lidhur me këtë KLSH rekomandon që ministritë e linjës të marrin masa për të balancuar minimizimin e kostove në rastet e auditimeve të pasqyrave financiare por duke mos prekur cilësinë e punës dhe duke rritur transparencën.
I njëjti raport propozon që të hartohet një kuadër më i qartë rregullator për mënyrën sesi përzgjidhen shoqëritë e auditimit.
Nertila Maho/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.