Australi, mpiksje e gjakut nga AstraZeneca. Raportohet rasti i dytë, programi i vaksinimit mbetet i qëndrueshëm
Australia deklaroi se një tjetër person është diagnostikuar me mpiksje të gjakut pasi mori vaksinën e AstraZeneca, por nuk ka patur ndonjë ndërprerje të vaksinimit, pasi autoritetet po përpiqen të nxisin fushatën e ngadaltë të imunizimit. Këtë Javë, Australia braktisi objektivin e vaksinimit të të gjithë popullsisë prej 26 milionë banorë deri në fund të vitit, pasi rregullatori i barnave në Europë raportoi raste të rralla të mpiksjes së gjakut, tek disa persona të injektuar me dozat e AstraZeneca. Kjo bëri që autoritetet australiane të rekomandojnë që personat më të rinj se 50-vjeç, të marrin vaksinën e Pfizer, duke shtuar paqartësitë mbi fushatën e vaksinimit. Megjithatë, ministri i Shëndetësisë, Greg Hunt, tha se pavarësisht se pritej një rënie e madhe e numrit të të vaksinuarve, kjo nuk është bërë ende e dukshme.
“Ajo që ne dimë, është se personat nën moshën 50-vjeç, duke ndjekur këshillat mjekësore, është e preferueshme që të marrin vaksinën e Pfizer. Për rrjedhojë, ne prisnim një rënie të madhe të numrit të të vaksinuarve, por kjo nuk është bërë ende e dukshme në këtë fazë, me rreth 56,000 të vaksinuar në 24 orët e fundit.”
Australia raportoi gjithashtu vdekjen e parë nga Covid-19 për këtë vit ditën e Martë, pasi një 80-vjeçar ndërroi jetë pasi mori virusin jashtë vendit. Kjo e çoi numrin e vdekjeve në vend në një total prej 910.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.