Australi, rriten të infektuarit me COVID-19/ Rastet ditore kalojnë 1.000 – Zelanda e Re duket se po e frenon përhapjen
Rastet e reja ditore me COVID-19 në Australi arritën në mbi 1.000 të enjten për herë të parë që kur filloi pandemia globale, ndërsa dy spitale të mëdha në Sidnej ngritën çadra emergjente në natyrë për të ndihmuar në përballimin e një rritje të pacientëve.
Sidnej, qyteti më i madh i vendit dhe epiqendra e shpërthimit aktual, po përpiqet të frenojë një rritje të variantit Delta, ku infeksionet e përditshme arrijnë nivele rekord edhe pas dy muajsh nën mbyllje. Shteti i New South Wales, ku Sidnei është kryeqyteti, raportoi 1,029 raste të reja, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 919 një ditë më parë. Nga rastet e reja, 969 u zbuluan në Sidnej.
Rritja e shpejtë e pacientëve me COVID-19 ka detyruar dy spitalet e Sidnej, të cilat shërbejnë në periferitë perëndimore të qytetit, të ngrenë çadra për të kontrolluar dhe trajtuar pacientët duke ndihmuar në menaxhimin e kapaciteteve. Kryeministri i këtij shteti, tha se autoritetet kishin katërfishuar numrin e ventilatorëve të kujdesit intensive.
Ndërkohë, në Zelandën e Re fqinje, kryeministrja Jacinda Ardern, tha se bllokimi i rreptë mbarëkombëtar i zbatuar për të frenuar COVID-19 po ndihmonte në kufizimin e përhapjes së variantit shumë infektiv Delta, edhe pse numri i rasteve të reja u rrit të enjten. Zelanda e Re raportoi 68 raste të reja duke e çuar numrin e përgjithshëm të personave të infektuar në 277. Nga rastet e përgjithshme, 263 janë në Auckland dhe 14 janë në kryeqytetin Wellington.
I gjithë vendi prej 5 milionë banorë është nën kushtet e bllokimit të rreptë, ku shkollat dhe shumica e institucioneve do të qëndrojnë të mbyllura të paktën deri në fund të muajit. Zelanda e Re ka qenë kryesisht e lirë nga virusi që nga viti i kaluar, duke përjashtuar një numër të vogël rastesh në shkurt, por kjo ecuri ndryshoi javën e kaluar pasi një rast i variantit Delta u identifikuar në Auckland, duke bërë që kryeministrja të urdhërojë mbylljen.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.