Australia synon vajzat e Putin dhe senatorë rusë në sanksionet e reja!
Qeveria australiane ka vendosur sanksione dhe ndalime udhëtimi për dy vajzat e presidentit rus Vladimir Putin dhe vajzës së ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov, thuhet në një deklaratë të premten.
Lëvizja ndjek masa të ngjashme të ndërmarra nga vende të tjera perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë, dhe e çon numrin total të njerëzve dhe subjekteve në Rusi që i nënshtrohen sanksioneve Australiane në afro 750.
Nuk përmenden emrat e dy vajzave të Putin por presidenti rus dihet se ka dy vajza të rritura, Katerina Tikhonova dhe Maria Vorontsova. Deklarata shtoi se Presidenti Putin dhe Lavrov u shtuan në listën e sanksioneve më 27 shkurt.
Raundi i ri i sanksioneve synon gjithashtu 144 senatorë rusë, të cilët i dhanë mbështetje Presidentit Putin duke miratuar njohjen “të paligjshme” si të pavarura të rajoneve separatiste të Donetskut dhe Luhanskut në Ukrainën lindore më 22 shkurt, tha në deklaratën e saj ministria e jashtme e Australisë.
Ministrja e Jashtme Marisa Payne shtoi se Australia do të vazhdojë të rrisë kostot ndaj Rusisë duke synuar ata që mbajnë përgjegjësi për “agresionin e pajustifikuar dhe të paprovokuar në Ukrainë”.
Javën e kaluar, Australia vendosi sanksione financiare të synuara ndaj 14 ndërmarrjeve shtetërore ruse, duke përfshirë entitete të lidhura me mbrojtjen si prodhuesi i kamionëve Kamaz dhe kompanitë e transportit SEVMASH dhe United Shipbuilding Corp. RTS
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.