Austri/ Gramoz Ruçi vazhdon lobimin për hapjen e negociatave: Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë!
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, filloi vizitat zyrtare në Vienë. Ruçi shoqërohej nga Kryetari i grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, deputeti Fate Velaj dhe Ambasadori i Shqipërisë në Austri, Roland Bimo.
Kryetari i Kuvendit vazhdon lobimin me parlamentet e shteteve të Bashkimit Europian për hapjen e negociatave.
“Politikat hezituese të BE-së ndaj zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor mund tu shërbejnë interesave të palëve të treta, jo europiane dhe mund të devijojnë perspektivën europiane të rajonit. Përsa i përket Shqipërisë, ne i kemi bërë të gjitha detyrat e shtëpisë, në të pesë prioritetet kyçe që rekomandoi Këshilli Europian dhe jemi këtu për të kërkuar avokatinë e Austrisë për hapjen e negociatave në qershor” tha Ruçi.
Presidenti i Senatit të Austrisë, Ingo Appé, falenderoi Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi, për vlerësimin e mbështetjes nga Austria të progresit dhe proceseve integruese në Shqipëri dhe vuri në dukje se kjo mbështetje do të vazhdojë.
“Austria do të lobojë me vendet skeptike për të krijuar bindjen e tyre mbi arritjet e Shqipërisë në realizimin e rekomandimeve të Këshillit Europian” premtoi Presidenti Appé.
Jenida Vladi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.