Austria fillon bllokimin mbarëkombëtar për personat e pavaksinuar!
Austria ka filluar zbatimin e një bllokimi mbarëkombëtar për njerëzit që janë të pavaksinuar ose që nuk janë shëruar së fundmi nga COVID-19. Masa e re hyri në fuqi në mesnatë pas një njoftimi nga kancelari i vendit të dielën.
“Situata është serioze,” tha Alexander Schallenberg, duke shtuar se masa ishte, për fat të keq, “e nevojshme”. “Është detyra jonë si qeveri e Austrisë të mbrojmë njerëzit,” tha ai.
Bllokimi vlen për personat mbi 12 vjeç që nuk kanë marrë dy doza të vaksinës kundër koronavirusit. Atyre u ndalohet të dalin nga shtëpitë e tyre, përveç aktiviteteve bazë si puna, pazaret ushqimore, shëtitjet – ose vaksinimi.
Schallenberg theksoi se shkalla e incidencës në mesin e të pavaksinuarve ishte shumë më e lartë se në mesin e atyre që i kishin marrë të dyja dozat, në rreth 1700 raste të reja për 100,000 njerëz.
Autoritetet janë të shqetësuara për rritjen e infeksioneve dhe vdekjeve, me frikën se spitalet nuk do të jenë më në gjendje të përballojnë fluksin në rritje të pacientëve me COVID-19. Bllokimi prek rreth 2 milionë njerëz në vendin alpin me 8.9 milionë banorë, sipas agjencisë së lajmeve APA.
Do të kryhen kontrolle të rastësishme për t’u siguruar që popullata po ndjek masën e cila do të rivlerësohet në 10 ditë. Gjobat për shkeljen e masës mund të jenë deri në 1450 euro, njoftoi DPA.
Masa po zbatohet pasi vendi raporton raste rekord të COVID-19. Më shumë se 13,000 raste të reja u raportuan të shtunën.
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.