“Automjetet e Ministrisë së Mbrojtjes në Ankand” – Më 22 tetor zgjidhet fituesi
Ministria e Mbrojtjes do të zhvillojë një ankand për shitjen e një sërë automjetesh me vlerë mbi 166.7 milionë lekë. Automjetet që përfshijnë anije, avionë, mjete të blinduara, armatim, mjete dhe agregate për skrap janë publikuar në faqen zyrtare të Agjencinë e Prokurimit Publik dhe janë ndarë në katër lote.
Ata do të shiten në gjendjen që janë dhe procesi i shkatërrimit është përgjegjësi e blerësit. Ankandi do të zhvillohet më datë 22 tetor pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Të gjithë të interesuarit që duan të blejnë mallrat e katër lotëve duhet të dorëzojnë kërkesat për pjesëmarrje brenda datës 22 tetor 2018, ora 10:00.
Ndërkohë, më 29 tetor Ministria e Mbrojtjes do të zhvillojë gjithashtu edhe dy ankande të tjera, ku në njëri prej tyre do të nxjerrë në shitje skrap metalik të gatshëm për furrë, i përftuar nga seleksionimet e municioneve në uzinat ushtarake.
Përmes këtij ankandi, MB tenton sërish shitjen e skrapit me vlerë mbi 150.1 milionë lekë të ndarë në dy lote, pasi procedura zhvillohet për herë të dytë pas anulimit për mungesë konkurrence të procedurës së hapur të ankandit me të njëjtin objekt.
Ndërkohë, sa i takon ankandit tjetër bëhet fjalë për shitjen e kafesë kokërr të papjekur, Riominas, e cila kap vlerën e më shumë se 7.6 milionë lekë.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.