Autoriteti i Aviacionit Civil, apel pasagjerëve: ” Kontrolloni datën e përfundimit të vlefshmërisë së pasaportave”
Autoriteti i Aviacionit Civil, i bën apel gjithë personave që kanë parashikuar të udhëtojnë në këtë periudhë nga Aeroporti Ndërkombëtar Nënë Tereza, që të kontrollojnë me kujdes datën e përfundimit të vlefshmërisë së pasaportave. Apeli vjen në një periudhë ku janë evidentuar një numër i lartë me raste të tilla në kufirin e aeroportit tonë ndërkombëtar, ku shumë persona janë detyruar të anullojnë udhëtimin, pasi nuk kishin kontrolluar datën e përfundimit të vlefshmërisë së dokumenteve.
Të gjithë personat që kanë në plan për të udhëtuar, duhet të kenë kujdes se rregullat e Zonës Schengen përcaktojnë se nuk mund të pranohet hyrja e personave, pasaporta e të cilëve përfundon në më pak se 3 muajt nga data e fundit e qëndrimit të tyre në një prej vendeve të BE.
‘’Kërkohet mirëkuptimi i të gjithë pasagjerëve ajror se në rast se nuk merren masat për të pasur vlefshmërinë e duhur të pasaportës, kompania ajrore do ju rrefuzojë t’ju bëj check-in pasi do të ishte subjekt gjobe nga ana e autoriteteve Evropiane, dhe Policia jonë Kufitare nuk do mund t’ju lejonte kalimin e kufirit.’’- paralajmëron Autoriteti i Aviacionit Civil.
Elefteria Zguri/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.