AutoSaw – Robotët marangozë që bëjnë mobilie me porosi
Ekipi i Institutit të Teknologjisë të Masaçusets (MIT), ka modifikuar teknologjinë ekzistuese robotike në mënyrë që robotët të jenë të aftë të krijojnë mobilie prej druri, masë kjo që do të përmirësojë akoma më shumë sigurinë në punë.
Ata thonë se nuk kanë për qëllim të zëvendësojnë zdrukthëtarët, por t’i lejojnë ata të përqendrohen më tepër në detyra më të rëndësishme si dizajni ndërkohë që robotët merren me pjesën e “rrezikshme” të punës.
“Çdo vit mijëra marangozë dëmtojnë duart dhe gishtërinjtë pasi punojnë me vegla mjaft të rrezikshme”, shprehet Instituti.
Robotika që prej shumë kohësh është përdorur për të prodhuar mobilie të prodhuara në masë, por puna e “MIT” mund të hapë rrugën për robotët që krijojnë mobilie me porosi, për hapësira e qëllime specifike. Ata do të presin drutë me përpikëri, do të hapin vrima si dhe do të zhvendosin pjesë të ndryshme rreth dhomës.
Krahasuar me makinat ekzistuese të përdorura nga marangozët, “AutoSaw” është më i lirë. “MIT” shprehet se qëllimi i vërtetë i punës së tyre është të tregojnë se mobiliet me porosi të një cilësie të lartë, tashmë janë shumë më të lehta dhe më të sigurta për t’u prodhuar.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.