Avionët pa pilotë mund t’u kursejnë miliarda kompanive ajrore. Por a do të blejë njeri biletë?

Industria e aviacionit mund të shpëtojë 35 miliardë dollarë në vit duke futur në linjat ajrore aeroplanët pa pilot, kjo sipas një raporti që ka nxjerrë UBS. Por ka vetëm një problem, i njëjti raport paralajmëron se vetëm 17% e udhëtarëve janë të gatshëm të fluturojnë pa pilotë.
UBS tha se teknologjia e avionëve pa pilot që mund të kontrollohet nga larg mund të shfaqet në vitin 2025. Përparime të mëtejshme do të ketë në vitin 2030, kur mund të realizohen avionë dhe helikopterë biznesi të automatizuar dhe në fund avionë komercialë pa pilotë.
“ Teknologjitë në zhvillim sot do t’i mundësojnë avionëve të ndihmojnë dhe të mbështesin pilotin në të gjitha fazat e fluturimit, duke hequr pilotët nga operacionet e kontrollit manual të sistemeve”, u tha në raportin e UBS-s.
Megjithatë, në kundërshtim me besimin popullor, avionët nuk fluturojnë vetë, madje edhe kur janë në autopilot. Pilotët vazhdimisht monitorojnë dhe përshtatin navigacionin e avionëve dhe komunikojnë me kontrollin e trafikut ajror dhe përgatiten për fazën e ardhshme të fluturimit. Analistët e UBS thanë se tranzicioni drejt avionëve pa pilot do të ndodhë pas shumë viteve.
Linjat ajrore zakonisht punësojnë 10 pilotë për avion, dhe zvogëlimi i numrit të tyre do të ulë shpenzimet në trajnime, rroga dhe kosto të tjera që ka personeli.
Një parashikim vjetor i lëshuar nga “Boeing” muajin e kaluar tha se linjat ajrore të pasagjerëve dhe të ngarkesave në botë pritet të blejnë 41,000 avionë të rinj midis 2017 dhe 2036. Kjo do të thotë se ata do të duhet të gjejnë dhe të trajnojnë 637,000 pilotë të rinj, raportoi CNN.
UBS bëri një studim me 8,000 njerëz dhe zbuloi se 54% e të anketuarve nuk kanë gjasa të marrin një biletë fluturimi kur avioni mund të jetë pa pilotë. Vetëm 17% e të anketuarve, të cilët ishin nga SHBA,Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Australia thanë se do ta blinin biletën.
Ylber Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.