Babai italian mjek shfryn kundër sistemit: “Në Itali testet e vështira. Vajza ime do studiojë në Shqipëri”
Luigi Manca, një këshilltar rajonal në Itali, i cili ushtron profesionin e mjekut, ka denoncuar në rrjetet sociale sistemin për pranimin në universitetet mjekësore, të cila kanë teste të pamundura hyrjeje.
“Ime bijë nuk e ka kaluar testin e hyrjes për mjekësi në Itali, ndaj do të shkojë të studiojë në Shqipëri”.
Historia e vajzës së tij, Martinës, është e shpeshtë mes të rinjve italianë, të cilët gjithnjë e më të shumtë zgjedhin të vijnë të studiojnë në vende si Shqipëria apo Rumania, për të mos hequr dorë nga ëndrrat e tyre.
“Të bëhej mjeke ka qenë ëndrra e vajzës sime qëkurse ishte e vogël. Një pasion që ia kam transmetuar padashur, por që më bën mua një baba shumë krenar. Për plot dy herë, si vitin e shkuar, edhe këtë vit, ajo ka tentuar të kalojë barrierën e numrit të kufizuar, duke marrë pjesë në një test me pyetje të frikshme, shumë prej të cilave, si mjek, ju them se nuk kanë të bëjnë fare me fakultetin e mjekësisë, por janë në gjendje të të shkatërrojnë ëndrrat e mijëra të rinjve që përfundojnë të humbasin vite të çmuara me shpresën se do e kalojnë, ose në rastin e Martinës, të provojnë ta kalojnë në Shqipëri. Dje erdhi lajmi i mirë: ia doli të hynte dhe do të bëhet kështu pjesë e të rinjve që lënë Italinë për të shkuar të studiojnë jashtë”, shkruan Manca.
Sipas mjekut, kjo politikë e fakulteteve italiane rrezikon të krijojë një boshllëk në mjekë, çka do ta bëjë shëndetësinë më të varfër. Ai largimin për studime e quan një largim të “trurit”, i cili nuk dihet nëse do të kthehet më.
Lo sfogo di un padre. La delusione di un medico. La lotta di un consigliere regionale.Qualche anno addietro…
Posted by Luigi Manca on Saturday, October 21, 2017
Për të lexuar më tepër rreth kësaj teme, kliko dhe lajmin e mëposhtëm:
“Ngelësit” italianë të mjekësisë turren në Shqipëri – Alternativë ndaj testimeve të vështira në atdhe
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.