Bahreini zbulon naftë – Burimi i ri thuhet se është shumë më i madh se rezervat aktuale
Mbretëria e Bahreinit deklaroi se ka zbuluar fushën më të madhe të naftës në vend, që kur ka nisur operacionet e kërkimit 90 vite më parë. Burimi i ri i naftës dhe gazit thuhet se është shumë më i madh se rezervat aktuale të vendit në Gjirin Persik.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve BNA, ky zbulim është më i madhi që prej vitit 1932 dhe ndodhet në gjirin perëndimor të vendit.
“Analizat fillestare tregojnë se ky zbulim përbën rezerva të konsiderueshme, që mund të mbështesin nxjerrjen e naftës dhe gazit në afat-gjatë”, deklaron ministri i naftës në vend, Mohammed bin Khalifa Al-Khalifa.
Vendi prodhues, që nuk është anëtar i Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës(OPEC), i merr të ardhurat nga 2 burime; fusha në tokë e Bahreinit dhe ajo në det e quajtur Abu Safah, që është e ndarë në mënyrë të përbashkët me Arabinë Saudite.
Rezerva e re u zbulua gjatë tremujorit të fundit 2017, pasi Mbretëria përshpejtoi kërkimin për depozita të reja të naftës. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, detaje të mëtejshme mbi përmasën dhe realizueshmërinë e nxjerrjes, do të publikohen ditën e Mërkurë.
Sektori i naftës në vend është relativisht i vogël, i renditur i 57-i në listën e prodhuesve më të mëdhenj nga Administrata e Informacionit mbi Energjinë (EIA). Bahreini nxjerr rreth 45 mijë fuçi në ditë, krahasuar me objektivin prej 10 milionë fuçi në ditë që ka Arabia Saudite.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.