Banesa falas familjarëve të viktimave/ 17 apartamente nga fondi i Bashkisë Tiranë i dhurohen të prekurve!
Këshilli i Ministrave ka nisur veprimet ligjore për dhurimin e apartamenteve për familjarët e viktimave të tërmetit të 26 nëntorit. Është depozituar tashmë në Kuvend Projektligji që bën të mundur dhurimin e 17 apartamenteve, në pronësi të Bashkisë Tiranë të ndodhura në njësinë administrative nr.1, Tiranë, për familjarët e viktimave, si pasojë e tërmetit të datës 26.11.2019.
Apartamentet do të dhurohen pas marrjes së pëlqimit të Këshillit Bashkiak, veprim që pasohet edhe nga heqja prej listës së pasurive të paluajtshme të Bashkisë Tiranë ose të njësisë përkatëse të vetëqeverisjes vendore
Projektligji përcakton gjithashtu që strukturat shtetërore të vendosin në dispozicion të gjitha burimet njerëzore dhe mjetet logjistike të nevojshme që nevojiten për transferimin e këtyre familjeve në banesat e reja në Tiranë. Të gjitha shpenzimet e mobilimit dhe të pajisjeve elektroshtëpiake për këto apartamente mbulohen nga buxheti i shtetit, ndërkohë që çdo shpenzim procedural për kryerjen e transaksioneve për dhurimin e pasurisë paguhen nga Bashkia Tiranë ose njësia përkatëse e vetëqeverisjes vendore
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.