Banka e Rusisë përgëzon FED – Do të ndjekë perëndimin me normalizimin e politikave monetare
Kryetarja e Bankës së Rusisë, ka përgëzuar Rezervën Federale në SHBA për rritjen e normave të interesit, dhe bëri thirrje për bankat e tjera qendrore që të ndjekin ritmin. Elvira Nabiullina, guvernatorja e Bankës së Rusisë, deklaroi se vendi do të vazhdojë me uljen e normave të interesit, ndërkohë që qëndrojnë në një nivel të lartë prej 9%. “E mirëpres normalizimin e politikave monetare.
Ne po përpiqemi që ta arrijmë këtë, por duhet të përdorim mjetet e kundërta. Ne jemi në një cikël të lehtësimit monetar, ndryshe nga vendet e tjera”, tha Guvernatorja e Bankës Qendrore të Rusisë. Ekonomia e Rusisë është goditur vazhdimisht nga çmimet e ulëta të naftës, sanksionet e vendosura nga Brukseli dhe Uashingtoni si dhe inflacioni në 4.4%.
Niveli i çmimeve në Rusisë pati një rritje të papritur në Qershor, kryesisht prej çmimeve të ushqimit, por Nabiullina tha se efekti është i përkohshëm. Dy vite më parë, norma e inflacionit në Rusi qëndronte në 17%. Guvernatorja tha se kur të arrihet objektivi prej 4%, atëherë Banka Qendrore mund të nisë lëvizjen drejt normës neutrale të interesit prej 2.5-3%.
Banka Qendrore vazhdon të mbajë një skenar skeptik për çmimet e naftës, duke i pozicionuar në 40 dollarë për fuçi, për shkak të disa faktorëve që krijojnë pasiguri. Ndër këto, është reagimi i limituar i tregjeve për zgjerimin e afatit të uljes së prodhimit nga OPEC dhe vendet e tjera jashtë kartelit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.