Banka e Spanjës rrit projeksionet – Fuqizimi i ekonomisë do të vazhdojë, papunësia pritet në rënie
Banka e Spanjës ka rritur projeksionet për rritjen ekonomike në dy vitet e ardhshme dhe deklaroi se ekspansioni aktual ekonomik do të vazhdojë për një periudhë më të gjatë se sa pritej më parë.
Banka Qendrore rriti parashikimin për Produktin e Brendshëm Bruto për 2017-ën, në 3.1% nga 2.8% që priste më parë.
Në një raport mbi ekonominë për periudhën 2017-2019, Banka e Spanjës nënvizoi se rritja më e fortë do të vijë prej politikave të favorshme monetare, progresit në reduktimin e borxhit privat dhe prej konsumit të fortë.
Për 2018-ën, institucioni projekton një rritje me 2.5%, sipër vlerësimeve të mëparshme prej 2.2%, ndërsa për 2019-ën, mbajti të njëjtën normë prej 2.2%.
Vitin e kaluar, Produkti i Brendshëm Bruto i Spanjës u rrit me 3.2%, e njëjta normë me 2015-ën, duke vulosur daljen nga recesioni.
Banka e Spanjës pret që norma e papunësisë, që është e dyta më e madhe në Europë, të bie në rreth 13% deri në 2019-ën, nga 18.6% që qëndroi vitin e kaluar.
Deficiti publik për vitin aktual pritet në 3.2% në raport me Produktin e Brendshëm Bruto, duke thyer rregullat e Bashkimit Europian, megjithatë për 2018-ën, institucioni pret që të bie në 3%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.