Banka lëvizëse e Credins në Korçë – Kredi Agro dhe konsulencë për fermerët në të gjithë vendin
Credins Bank zhvilloi një takim në Korçë në mbështetje të agrobiznesit. Fermerë nga Qarku i Korçës, drejtues institucionesh, pedagogë dhe student nga Universiteti Bujqësor i Korçës ishin të pranishëm.
“Gjej rastin të inkurajoj përfaqësuesit e biznesit agro dhe të agro përpunimit të orientohen më tepër në kërkesat sasiore dhe cilësore të tregut, mundësinë e gjetjes së tregut të ri brenda dhe jashtë vendit, të jenë të përgatitur për risqet që mund të ndodhin për shkaqe natyrale apo konjukturale të tregut dhe të rrisin bashkëpunimin me institucionet koordinuese dhe veçanërisht sistemin bankar” tha Drejtori Rajonal i Credins për Qarkun e Korçës, Ilir Selenica.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e Credins Bank informuan fermerët mbi mundësitë dhe procesin e kredive për agrobiznesin. I pranishëm ishte dhe Piro Ceta, këshillues fermerësh për Qarkun e Korçës, i cili zhvilloi bashkëbisedim me fermerët dhe ofroi konsulencë.
“Ne si bankë nuk shërbejmë thjesht si kredidhënëns por jemi edhe këshillues. Rreth 66 % e klientëve tanë janë ricikluar për së dyti, për së treti deri për së pesti. Kjo tregon një lidhje me këta njerëz. Tani jemi një familje e madhe në të cilën secila palë ndihmon tjetrën në punën e saj” nënvizoi Piro Ceta, Oficer Mikrokredie, Credins Bank.
Një nga pikat kyçe të eventit ishte prezantimi i bankës lëvizëse, e cila do të udhëtojë në të gjithë Shqipërinë për të lehtësuar marrëdhënien e klientëve me bankën në zonat larg qytetit.
“Është një ide e mirë, risi e mirë, do ta provojmë! Nuk e kemi provuar më parë nga ndonjë bankë tjetër e nivelit të dytë në Shqipëri. Them se do t’ju hyjë në punë fermerëve të cilët veprimet bankare i quajnë të mërzitshme. Banka do t’ju shkojë deri në shpi, sidomos për zonat e largëta është një risi e mirë dhe them se do ketë rezultat ” u shpreh Petro Azisllari, fermer në Dvoran të Korçës.
Eventi në Korçë ishte i dyti pas atij të Roskovecit ku u mblodhën më shumë se 50 fermerë nga zona të ndryshme. Credins Bank do të vazhdojë iniciativën e ndërmarrë për mbështetjen e agrobiznesit dhe në muajt e ardhshëm do të zhvillojë takime të tjera.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.