Bankat franceze fitojnë ndaj BQE – Gjykata hedh poshtë kërkesat e institucionit për të rritur kapitalin
Bankat franceze fituan një betejë në gjyq kundër Bankës Qendrore Europiane, duke fituar një përjashtim nga mbajtja e kapitalit shtesë kundër depozitave konsumatore të vendosura në fondet shtetërore. Gjykata kryesore e Bashkimit Europian, hodhi poshtë kërkesën e BQE për 6 banka franceze, që të mbajnë kapital kundrejt depozitave të veçanta që kanë te institucioni shtetërorë i investimeve (CDC).
Vendimi shënon suksesin e parë me profil të lartë për bankat, që kur Banka Qendrore Europiane u bë organi kryesor i mbikëqyrjes në vitin 2014, nën drejtimin e ish kreut rregullator të Francës, Daniele Nouy. “Banka Qendrore Europiane ka gabuar në vlerësimet e bëra”, bëri të ditur gjykata.
Vendimi do të ulë kërkesat për kapital të BNP Paribas, Societe Generalem Credit Agricole, Credit Mutuel, Groupe BPCE dhe La Banque Postal me miliarda euro. Llogaritë e kursimit të pataksueshme të Francës, siç është Livret A, arritën një vlerë prej 386 miliardë euro në fund të muajit Maj, por popullariteti i tyre po zbehet për shkak të interesave të ulëta që paguajnë.
Bankat mund të depozitojnë deri në 60% të kësaj paraje te institucioni shtetëror CDC , që i përdor fondet për të investuar në strehimin publik dhe projekte të tjera.
La Banque Postale dhe BPCE, që kanë pasur prej kohësh një monopol në llogaritë e rregulluara të kursimit në Francë, ishin përfituesit kryesor në vendim. Nën rregullat e BE, bankat duhet të mbajnë kapital rregullator prej të paktën 3% të totalit të aktiveve të tyre. Duke hequr depozitat te institucioni shtetëror CDC, bankat do të kishin një normë më të lartë të levës financiare për një sasi të caktuar të kapitalit.
La Banque Postale deklaroi në raportin vjetor se mbante kapital sipër 4.5% të totalit të aktiveve në fund të 2017-ës, por norma do të arrinte në 5.3% nëse depozitat te institucioni do të përjashtoheshin.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.