Bankat lehtësohen nga “mbirregullimi” – Komisioni i Bazelit rishikon rregullat për matjen e riskut të tregut
Rregullatorët globalë kanë propozuar rregulla të reja që do të reduktojnë kapitalin rregullator që bankat duhet të mbajnë për tregtimin e obligacioneve, aksioneve dhe valutave.
Ndryshimet pritet ta lehtësojnë punën për bankat në aplikimin e këtyre rregullave kur të hyjnë në efekt në Janar të vitit 2022, sipas Komisionit të Bazelit. Për të matur kapitalin, bankat duhet të përshtatin aktivet e tyre në varësi të riskut që mbajnë.
Komisioni i Bazelit mbi Mbikëqyrjen Bankare cakton ponderimin me risk për lloje të ndryshme të aktiveve, por shumë banka të mëdha përdorin modelet e tyre. Në Dhjetor, rregullatorët bënë të ditur se llogaritjet e bankave të aktiveve të ponderuara me risk (RWA), nuk mund të jenë në mesatare më pak se 72.5% të shifrës së sugjeruar nga modeli standard.
Modeli standard e ndan riskun në 3 kategori: të besueshmërisë, operacional dhe atë të tregut.
Pas një studimi të ponderimit të rrezikut të tregut, rregullatorët po propozojnë tashmë uljen e nivelit në modelet e tyre, duke pranuar se kërkesat rregullatore të mëparshme kanë qenë të ashpra.
Komisioni i Bazelit kërkon të reduktojë ponderimin me risk për produktet gjenerale që bartin normë interesi me 20-40% dhe për titujt e kapitalit e valutat me 25-50%.
Kjo do të sjellë tkurrjen e aktiveve të ponderuara me risk, veçanërisht për bankat që kanë operacione të mëdha të tregtisë.
Vitin e kaluar, Komisioni i Bazelit vlerësoi se niveli minimal që kërkohej më parë do t’i linte bankat më të mëdha me një mungesë në kapitalin e kërkuar prej 28 miliardë euro, bazuar në të dhënat e 2016-ës.
Komisioni bëri të ditur se në eksperimentin e 200 bankave, risku i tregut zinte mesatarisht 5% në aktivet e ponderuara me risk.
Megjithatë, bankat e investimeve mund të pësojnë lehtësime, ndërkohë që risku i tregut përbënte për 12% (ndaj totalit të RWA) për Deutsche Bank dhe 14% për Goldman Sachs.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.