Bankat mbështesin “100 fshatrat” – Ahmetaj: Rishikojmë Fondin e Garancisë. Korkuti: Financojmë agroturizmin
Qeveria shqiptare ka kërkuar mbështetjen e sektorit bankar për aplikimin e programit të Rilindjes Rurale “100 fshatrat”. Gjatë një takimi të zhvilluar në Fishtë të Lezhës, me drejtuesit e bankave kreysore në vend, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj premtoi edhe ndryshimin e Fondit të Garancisë, ndërsa ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi tha se ai do të bëhet më interesant për bankat.
“Fondi i Garancisë me BERZH-in, të ndryshojë në thelb, sepse është kthyer në një fond garancie komercial, kështu që do duhet ta rishikojmë komplet atë në këndvështrimin tim personal. Është detyra e qeverisë që të prodhojë projekte zbatimi të vogla në mënyrë që ta bëjë të mundur financimin dhe t’i jepet gjithë përgjegjësisë sociale të kompanive apo të bankave, t’i jepet përpara në tryezë një projekt zbatimi”, u shpreh Ahmetaj.
“Shpresojmë që do t’i bëjmë realitet, për ta bërë këtë instrument më interesant për ju, për bankat, në mënyrë që të fuqizojmë kredidhënien. Kemi marrë gatishmëritë, që është shprehur tani dhe në mënyrë formale nga këto banka, për t’i dhënë prioritet dhe për të qenë shumë të shpejtë, fleksibël, të gatshëm dhe modest në kërkesat për kolateral dhe më të favorshëm në kushtet që do t’i ofrojnë fituesve të këtyre skemave”, tha Peleshi.
Ndërkaq, sektori bankar u shpreh i gatshëm për të financuar projektet në sektorin e agroturizimit. Drejtori i Përgjithshëm i ‘Credins Bank’, Maltin Korkuti tha se banka që ai drejton ka 4 vjet që e ka në fokus këtë sektor, ndërkohë që vetëm në 2 vitet e fundit portofoli i financimit të agroturizmit është rritur me rreth 17%.
“Si Banka Credins kemi pothuajse 4 vjet që e kemi vënë në fokusin tonë financimin e agrobiznesit dhe shifrat janë shumë optimiste. Në dy vitet e fundit kemi pasur rritje 15% dhe 17% të portofolit të financimit të agrobiznesit. Ky është një sektor pak i financuar, ka pasur problematikat e veta me pjesën e pronësisë së tokës, të cilat janë përmirësuar ndjeshëm. Megjithatë shohim që edhe në kombinim me pjesën e agroturizmit ka krijuar vërtetë një potencial të lartë. Çfarë do të dëshironim ne si banka komerciale do ishte që këto projekte shumë të mira, siç është projekti në bashkëpunim midis qeverisë dhe BERZH-it, të shtriheshin edhe në bankat e tjera dhe të krijonin një mundësi më të gjerë për përhapjen e financimit. Skema të ndryshme që mund të garantojnë produktin, duke parë që edhe risku nga ana klimaterike është rritur, këto skemat e sigurimit do të ulnin riskun për financimin, kështu që edhe përqindjet e interesit do të ishin më të ulëta dhe bankat do të ishin më të interesuara për ta bërë këtë gjë”, u shpreh Maltin Korkuti, drejtor i “Credins Bank”.
Edhe kreu i Shoqatës së Bankave, Silvio Pedrazzi konfirmoi qëndrimin e bankave për të mbështetur këtë sektor, ndërsa kërkoi publikimin e listave të përfituesve nga skemat e mbështetjes së Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, në mënyrë që t’i hapet rruga financimit të projekteve.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.