Bankat mbrohen ndaj ligjit kinez. Mbikëqyrin klientët e Hong Kongut për lidhje pro-demokracisë
Manaxhuesit botërorë të pasurisë po shqyrtojnë nëse klientët në Hong Kong kanë lidhje me lëvizjet pro-demokracisë në qytet, në përpjekje për t’u mbrojtur nga ligji i ri i sigurisë i kinës, sipas burimeve për Reuters. Bankierë nga Credit Suisse, HSBC, Julius Baer dhe UBS, po rrisin mbikëqyrjen duke monitoruar klientët për lidhje politike dhe duke i bërë ata subjekt të kërkesave shtesë të diligjencës. Kjo mund ta vështirësojë apo ndalojë aksesimin e njerëzve ndaj shërbimeve bankare, në varësi të zbulimeve të bankës mbi burimin e pasurisë apo transaksioneve financiare të personave.
Disa banka kanë kontrolluar komentet e bëra nga klientët në publik dhe në media sociale. Ligji i ri i Pekinit ndalon ato që Kina i përshkruan si ndasi, përmbysje, terrorizëm apo përplasje me forca të huaja, me deri në burgim të përjetshëm. Një bankier në një fond të pasurisë që menaxhon mbi 200 miliardë dollarë aktive, tha për Reuters se auditi i klientëve është zgjatur deri në 2014-n në disa raste, për të matur qëndrimin politik të tyre, që prej krijimit të lëvizjes pro-demokracisë, të quajtur “çadra”. Protestuesit përdornin çadra atëherë për t’u mbrojtur nga gazi lotsjellës i policisë.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.