Bankat në Britani dhe SHBA ndalojnë blerjen e Bitcoin me kartat e kreditit
Bankat në Britani dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndaluar përdorimin e kartave të kreditit për të blerë Bitcoin dhe monedha të tjera digjitale nga frika e rënies së vazhdueshme të vlerës së tyre.
Lloyds Banking Group Plc, huadhënësi më i madh i Britanisë, tha të dielën se do të ndalonte klientët e tij për blerjen e monedhave digjitale me kartë kreditit, duke ndjekur drejtimin e gjigandëve bankarë amerikanë JP Morgan Chase & Co dhe Citigroup.
Ky veprim ka për qëllim mbrojtjen e klientëve nga ballafaqimi me borxhe të mëdha nga blerja e monedhave virtuale me kredi, nëse vlerat e tyre do të binin, tha një zëdhënëse e Lloyds.
Shqetësime kanë lindur midis ofruesve të kartave të kreditit sepse klientët e tyre kanë përdorur gjithnjë e më shumë karta krediti për të financuar llogaritë në shkëmbimet online, të cilat më pas përdoren për të blerë monedhat dighitale.
Javën e kaluar, Mastercard Inc, rrjeti i dytë më i madh i pagesave në botë, tha se blerësit që blenë monedha digjitale me karta krediti nxitën një rritje prej 1% në vëllimet e transaksioneve jashtë vendit në tremujorin e katërt.
Në atë kohë, Bitcoin po krijonte një rritje spektakolare në vlerë, duke arritur një maksimum prej 19,187 dollarë më 16 dhjetor në bursën e Bitstamp me bazë në Luksemburg.
Por monedha më e madhe dhe më e njohur digjitale ka rënë në mënyrë dramatike dhe të hënën shënoi një tjetër rënie me 6%, duke arritur në vlerën 7700 dollarë.
Ndërkohë, një zëdhënëse e bankës Chase tha se nuk po përpunon aktualisht blerjet e kartave të kreditit të monedhave digjitale për shkak të paqëndrueshmërisë dhe rrezikut të përfshirë, ndërsa një tjetër zëdhënëse e Citi konfirmoi një ndalim të ngjashëm, por nuk dha ndonjë arsye konkrete.
Shqetësimet në lidhje me përdorimin e Bitcoin dhe monedha të tjera të tilla shtrihen përtej përdorimit të kartave të kreditit për huamarrje.
Kryeministrja britanike Theresa May tha se Britania duhet të marrë një vështrim serioz mbi monedhat digjiitale si Bitcoin për shkak të mënyrës se si mund të përdoren nga kriminelët.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.